17 vjetori i themelimit të ATK-së – Fjalimi i drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së

Publikuar më January 17, 2017 14:52

Është kënaqësi e imja që në emër timin personal dhe në emër të stafit t’u uroj mirëseardhje në shënimin e 17 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

ATK, është themeluar me 17 Janar 2000 nën drejtimin dhe administrimin e UNMIK-ut. Më 18 Shkurt 2003, barten kompetencat e udhëheqjes tek Ministria për Ekonomi dhe Financa, dhe që nga ajo kohë, ATK funksionon si një Agjenci ekzekutive me autonomi të plotë operacionale, brenda Ministrisë se Financave,  e menaxhuar nga vendorët, me asistencën e Institucioneve ndërkombëtare përfshirë, USAID, BE, FMN, GIZ, etj. Fillimi i punës së ATK-së ishte me 30 zyrtar për të arritur në 800 të punësuar.
Rrugëtimi i ATK është shoqëruar me mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Institucioneve të Republikës së Kosovës, tatimpaguesve dhe partnereve tanë ndërkombëtar. Pa mbështetjen e tyre sigurisht se do të ishte e vështirë.

Përmirësimi i shërbimeve për tatimpagues, transparenca, luftimi i evazionit fiskal,  kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prioritete tona. Sistemi Ynë tatimor bazohet në parimet e vetë-vlerësimit dhe përmbushjes vullnetare. Përmbushja vullnetare mbështetet në tatimpaguesit që ata vetë të përcaktojnë obligimet e tyre tatimore dhe vullnetarisht të dorëzojnë deklaratat dhe pagesat. Ne kemi krijuar kushte brenda ATK-së për të bërë përmbushjen më të lehtë që të fitojmë besimin e publikut për të administruar sistemin tonë tatimor në mënyrë të drejtë dhe transparente. Pa besimin e publikut, do ta kemi të vështirë të zbatojmë një sistem të vetë-vlerësimit dhe përmbushjes vullnetare. ATK, në vitin 2011 ka lancuar sistemin e Deklarimit Elektronik (EDI) ku t/p mund të deklarojnë tatimet në çdo kohë pa pasur nevojë për të vizituar ATK-në, përmes së cilit deri më tani janë deklaruar 5,587,487 deklarime.

Ky sistem sigurisht në masë të madhe ka rritur përmbushjen vullnetare të obligimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, ku niveli i përmbushjes vullnetare është rritur nga viti në vit.

 Qendra e Thirrjeve, funksionon nga Nëntori 2011, është një kanal komunikimi me tatimpagues në funksion të përmbushjes tatimore. Ka realizuar 162. 822 thirrje dalëse dhe 18.425 thirrje hyrëse, ndërsa efekti i tyre ka qenë 8,412,842 euro.

ATK, ka një rol shumë të rëndësishëm në stabilitetin financiar në buxhetin e Republikës së Kosovës, për përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga Qeveria, përgjegjëse për implementimin e planeve operative dhe strategjike, trajtimin e barabartë të tatimpaguesve që secili të paguaj pjesën që i takon  me ligj.

Rezultate në mbledhjen e të hyrave kanë ngritje te vazhdueshme, kështu për 17 vjet janë mbledhur 4,6 miliard euro të hyra, shifra këto të cilat tregojnë se ATK është e orientuar që të garantoj një stabilitet të qëndrueshëm buxhetor për Republikën e Kosovës.

Në raportet e institucioneve ndërkombëtare, shprehet progresi i ATK-së. Së fundmi Banka Botërore në raportin e saj vjetor për ambientin e të bërit biznes ka ranguar Kosovën në pozitën 60 nga 190 ekonomitë (vendet) botërore që vlerëson ky raport. Ndërsa, indikatori “pagesa e tatimeve” ka pozicionuar ATK-në në pozitën 43 apo 34 pozita më lartë se sa në vitin e kaluar,  ku ishte në pozitën 77.

Këtë përvjetor e shënojmë edhe me ofrimin e një kanali të ri të ofrimit të shërbimeve për tatimpaguesit e mëdhenj, një sportel i posaçëm dhe një këshilltar tatimor.

Krejt në fund i falënderoj të gjithë palët e interesit dhe donatoret që në një mënyrë ose tjetër kanë kontribuar në themelimin dhe zhvillimin e përgjithshëm të ATK-së. Sigurisht, që kemi ende shumë për të bërë për vitet që na presin.

Faleminderit të gjithëve !