Administrata Tatimore e Kosovës, realizoi seminar me tatimpagues në Komunën e Graqanicës

Publikuar më February 8, 2012 09:34

Prishtinë: 06 Shkurt 2012, Administrata Tatimore e Kosovës, ka mbajtur një seminar me tatimpagues të komunitetit Serb në komunën e Graçanicës, me temën: Legjislacioni Tatimor i Kosovës. Ky seminar në fokus të veçantë kishte Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si dhe Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Gjatë këtij seminari, të prezantuar nga z. Sami Salihu – Menaxher i Divizionit të Edukimit të Tatimpaguesve, tatimpaguesit janë njoftuar me Ligjet e aplikueshme për tatimet.

Nga Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat, janë prezantuar tema, si: përmbushja vullnetare, Regjistrimi, Dokumentimi, Deklarimi dhe Pagesa. Më konkretisht janë trajtuar çështjet si: regjistrimi i biznesit dhe pajisja me numër fiskal, çregjistrimi i tatimpaguesve, krijimi dhe mbajtja e regjistrimeve, regjistrimi i mallit, origjina e mallit, pajisja me Arkë Fiskale, ndëshkimet administrative sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, e drejta e vlerësimit të tatimpaguesit, deklarimi i transaksioneve mbi 500€, raportimi i blerjeve mbi 500€, E-Deklarimi, afatet e deklarimit dhe pagesat e tatimeve, etj. Kurse nga Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, janë prezantuar tema, si: Objekti i tatuarjes dhe personat e tatueshëm për TVSh, Regjistrimi në TVSh dhe çregjistrimi nga TVSh-ja, Momenti i lindjes së detyrimit tatimor për TVSh, Lirimet për TVSh, e drejta e zbritjes së TVSh-së, Kërkesat për Rimbursim të TVSh-së, Periudha tatimore, deklarata dhe pagesa e TVSh-së, etj.

Pjesëmarrësit e këtij seminari kanë parashtruar pyetje të ndryshme, lidhur me Legjislacionin Tatimor të Kosovës, si dhe çështje të tjera me interes, gjithashtu atyre u janë shpërndarë materialet në gjuhën Serbe, si: Libri – Legjislacioni Tatimor i Kosovës, Fletëpalosja për Të drejtat dhe Obligimet e Tatimpaguesve, fletëpalosje me Informata të përgjithshme për ATK-në, si dhe Fletëpalosje me pyetje – përgjigje për TVSh, TAK, TAP.

Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar në trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve, gjithashtu, ATK është e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të legjislacionit tatimor, në mënyrë që të krijoj kushte më të mira për zhvillimin e biznesit në Kosovë.

Administrata Tatimore e Kosovës