Anëtarët e SHKÇAK njoftohen për së afërmi me Legjislacionin Tatimor

Publikuar më March 24, 2014 10:04

Në vargun e shumë seminareve që është duke zhvilluar Administrata Tatimore e Kosovës, të premten më datë 21 Mars 2014, ka mbajtur seminarin një ditor për anëtarët e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës.

Kjo është një vazhdimësi e seminareve që ATK mban me anëtarët e SHKÇAK-ut, për Edukim të Vazhdueshëm Profesional – EVP.

Temat të cilat janë prezantuar / trajtuar në këtë seminar ishin:

  • Zhvillimet në ATK dhe deklarimi i tatimpaguesve
  • Ngarkesa e kundërt për TVSh
  • Vendimi Shpjegues Publik Nr. 01/2014 – Trajtimi i të ardhurave nga Kontratat Afatgjate
  • E drejta për zbritje të TVSh-së

Anëtarët e SHKÇAK, u njoftuan edhe përmes shembujve se si, kur dhe nga kush aplikohet ngarkesa e kundërt për TVSh, si trajtohen të ardhurat nga kontratat afatgjate për TVSh, TAP dhe TAK, kur lind e drejta për ta zbritur TVSh-në e zbritshme dhe cilat janë kufizimet për mos njohje të plotë të TVSh-së së zbritshme. Në kuadër të temës kufizimet për mos njohje të plotë të TVSh-së së zbritshme, është trajtuar në veçanti njohja e TVSh-së së zbritshme në blerjen e veturave dhe shpenzimeve përcjellëse, kur vetura përdoret për të dy qëllimet, si biznesore dhe personale.

Gjithashtu, nga zyrtarët e ATK-së, pjesëmarrësit u njoftuan për zhvillimet në ATK, si deklarimi elektronik, funksionimi i Qendrës së Thirrjeve, Objektivat për Vitin 2014, etj.

Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar në inkurajimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore në baza vullnetare nga të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë për obligim të përgjigjen në detyrimin e tyre tatimor në afatin e paraparë ligjor, në mënyrë që ATK, të mos detyrohet të vendos ndëshkimet për mos respektimin e Legjislacionit Tatimor të Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës