ATK, fillon me rimbursimin e mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal për periudhën TM2/2016

Publikuar më June 29, 2016 20:54

Të nderuar qytetarë,

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se nga data 01 Korrik 2016 fillon me rimbursimin e mjeteve për qytetarët, të cilët kanë grumbulluar Kuponët Fiskal gjatë periudhës TM2/2016 (Prill, Maj dhe Qershor).

Fillimisht, obligoheni që të plotësoni aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal. Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org, në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal, më së voni deri më 31 Korrik 2016.

Vetëm pasi të keni deklaruar të dhënat tuaja përmes këtij aplikacioni, ju do të mund t’i dorëzoni fizikisht plikot në cilëndo pikë të Postës së Kosovës, që gjithsej janë në dispozicion 158 pika.

ATK do të shqyrtoj të gjitha aplikacionet, si dhe do të rimbursoj mjetet, ashtu siç është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2015.

Njëherësh, ju njoftojmë se procedurat dhe hapat, për dorëzimin e plikove me Kuponë Fiskal dhe rimbursimin e mjeteve, mund t’i gjeni në Fletëpalosjen “Udhëzues për dorëzimin e plikove me Kuponë Fiskal”, linku Multimedia – Fletëpalosje dhe në Vendimin Shpjegues Publik Nr. 02/2015 në linkun  Publikime – Shpjegimet publike.

ATK ju inkurajon që të vazhdoni me grumbullimin e Kuponëve Fiskal dhe të jeni të vetëdijshëm se duhet të pajiseni me Kuponë Fiskal në momentin e blerjes së mallit apo shërbimit.

Personi i cili nuk merrë Kuponin Fiskal:

  • dëmton veten dhe të tjerët;
  • nuk kontribuon në zhvillimin e vendit;
  • nuk përmbush një nga detyrimet qytetare, si dhe
  • ndihmon evazionin fiskal.

“Edhe Ti ke përgjegjësi për vjelje të tatimeve. Kërko kuponin fiskal, është përgjegjësi qytetare!”

Administrata Tatimore e Kosovës