ATK-ja mbajti seminarin një ditor me tatimpaguesit e Lojërave të Fatit

Publikuar më October 5, 2012 16:10

Administrata Tatimore e Kosovës, sot ka mbajtur një seminar me tatimpaguesit e Lojërave të Fatit, me Temat:  Ligji Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit, Reformat në Deklarimin dhe Pagesën e Tatimeve dhe Kontributeve Pensionale në mënyrë elektronike, Shembull praktik: si regjistrohet tatimpaguesi në EDI, si bëhet deklarimi dhe pagesa e tatimit përmes EDI-t.

Pjesëmarrës në këto seminare ishin tatimpagues e Lojërave të Fatit, kontabilistë dhe qytetarë të interesuar për temat e lartpërmendura.

Tatimpaguesit e Lojërave të Fatit, u njoftuan me dispozitat ligjore të rregulluara me Ligjin për Lojërat e Fatit, si: mënyrën e organizimit dhe funksionimin e Lojërave të Fatit, licencimi i subjekteve dhe regjistrimi i punonjësve të Lojërave të Fatit, themelimi i autoritetit të Lojërave të Fatit dhe mbikëqyrja e tyre, ndëshkimet për shkelje të dispozitave ligjore, bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, etj.

Gjithashtu, nga zyrtarët e ATK-së, u prezantuan Reformat në Deklarimin dhe Pagesën e Tatimeve dhe Kontributeve Pensionale në mënyrë elektronike, Shembull praktik : si regjistrohet tatimpaguesi në EDI, si bëhet deklarimi dhe pagesa e tatimit përmes EDI-t.

Pjesëmarrësit, fillimisht u njoftuan për procesin në mënyrë të përgjithshme, lidhur me funksionimin e Deklarimit Elektronik (EDI), përparësitë e sistemit, lehtësirat për tatimpaguesit, regjistrimin e tatimpaguesve në EDI, deklarimin dhe pagesat përmes këtij sistemi, etj.  Gjithashtu, u prezantuan edhe në detaje shembujt praktik të procesit të Deklarimit Elektronik për TVSh, Tatimit në Paga dhe Kontribute Pensionale.

Për të gjithë tatimpagues, të cilët ende nuk janë regjistruar në Sistemin Elektronik EDI, Administrata Tatimore e Kosovës, inkurajoi që të regjistrohen sa më parë dhe të përdorin këtë sistem për deklarim. ATK, që nga tremujori i fundit i vitit 2012 do të ndërpresë mundësinë e shkarkimit të formularëve elektronik për Tatimet dhe Kontributet Pensionale, të cilat do të mundësohen të deklarohen dhe paguhen vetëm përmes Deklarimit Elektronik -EDI.

 

Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, ATK iu ka ofruar përgjigjet adekuate.

Pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale informuese, si: Udhëzuesi për Deklarimin Elektronik të Pagave dhe Kontributeve Pensionale, si dhe  fletëpalosjet: “Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit”, Informata të Përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Pyetje – Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin tatimor, Udhëzuesi mbi paraqitjen e Informacioneve mbi Evazionin tatimor, korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, si dhe Broshura – Regjistrohu, deklaro dhe paguaj tatimin, si dhe prezantimi i Ligjit të Lojërave të Fatit.