ATK-ja, vazhdon aksionin për mbylljen e subjekteve dhe njësive të palicencuara të lojërave të fatit në Regjionin e Pejës, Prizrenit dhe Gjilanit

Publikuar më April 22, 2011 06:29

Administrata Tatimore e Kosovës, – Drejtorati i Lojërave të Fatit me asistim të Policisë së Kosovës-Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Inspektoriatit Komunal, prej datës 03.03.2011 deri më 15.04.2011, kanë zhvilluar aksionin për mbylljen e subjekteve dhe njësive të pa licencuara që merren me aktivitete të Lojërave të Fatit (LF) në Komunën e Gjakovës, Klinës, si dhe Regjionet e Prizrenit e Gjilanit.

Një aksion i tillë është ndërmarrë si rezultat i një bashkëpunimi në mes ATK-së, PK-së dhe Inspektoriatit Komunal me të vetmin qëllim, zbatimin e plotë të Ligjit Nr. 2004/35, për Lojërat e Fatit.

Si rezultat i këtij aksioni është realizuar mbyllja e 126 (njëqind e njëzet e gjashtë) njësive të Lojërave të Fatit, në Komunën e Gjakovës, Klinës, si dhe Regjionet e Prizrenit dhe Gjilanit, të cilat janë ndëshkuar në vlerë 56.875 €), e gjitha kjo si rezultat i mosrespektimit të Ligjit Nr.2004/35.

Aktivitete të tilla të planifikuara dhe të koordinuara në mes ATK-së, PK-së dhe Inspektoriatit Komunal, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke mbuluar kështu gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar dhe e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të Ligjit për Lojërat e Fatit, me të vetmin qëllim vënien e rendit dhe rregullit të plotë në këtë kategori të subjekteve ekonomike.

Gjithashtu, ATK-ja, ka për synim që të ngritë shkallën e bashkëpunimit me shumë institucione të tjera që merren me zbatim të ligjit, në mënyrë që sa më shumë të ndikojë në uljen e ekonomisë informale.

Administrata Tatimore e Kosovës