ATK për herë të parë pjesëmarrëse e forumit të OECD për Administrim Tatimor

Publikuar më September 21, 2010 11:57

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës z. Behxhet Haliti, morri pjesë në forumin për Administrim Tatimor të Organizatës për Ko-operim Ekonomik dhe Zhvillim – OECD (Organisation for Economic Co-operation and Development) e cila u mbajt në Turqi, përkatësisht në Stamboll më 15 dhe 16 Shtator 2010.

Në këtë forum morrën pjesë Drejtues të Administratave Tatimore të më shumë se 40 vendeve të Botës, ku u diskutua  për një sërë çështjesh që lidhen me administrimin e sistemeve tatimore në klimën aktuale ekonomike.

Pjesëmarrësit shprehën përkushtimin e tyre në përmirësimin e shërbimeve për tatimpaguesit, në baraspeshimin e nevojës për shpejtësi dhe integritet në kryerjen e ripagesave dhe kreditimeve tatimore.

Po ashtu konfirmuan përkushtimin e tyre në mbështetje të Administratave Tatimore në ekonomitë në zhvillim dhe në ngritje.

Gjatë qëndrimit,  z. Haliti u takua me shumë homolog të tij me të cilët diskutoi për mundësitë e  shtimit te bashkëpunimit të Kosovës me vendet anëtare te  OECD, duke marrë kështu përkrahje dhe duke u akorduar për të vazhduar takime të ndërsjella bashkëpunimi. Gjithashtu ai falënderoi përfaqësuesit e kësaj organizate për përkrahjen që i kanë dhënë ATK deri më tani përmes qendrave të trajnimeve në Ankara dhe Vienë.

Kjo ishte hera e parë që Administrata Tatimore e Kosovës morri pjesë në Forumin e OECD për Administrim Tatimor.