ATK, realizoi Seminaret me tatimpagues

Publikuar më March 10, 2014 10:21

SeminarAdministrata Tatimore e Kosovës, ka përmbyllur  seminaret e organizuara me tatimpagues në të gjitha regjionet, si: Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren.

Temat të cilat u prezantuan/trajtuan në këto seminare, ishin:

  • Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura Personale – PD
  • Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura të Korporatave – CD
  • Formulari i deklarimit vjetor nga Ortakëria – DO
  • Raportimi i blerjeve mbi 500 €
  • Tatimi i Mbajtur në Burim
  • Procedurat e Rimbursimit të TVSh-së.

Qëllimi i mbajtjes së këtyre sminareve ishte prezantimi i mënyrës së deklarimit vjetor, duke përfshirë: deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat Personale, deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave, deklarimin e të Ardhurave nga Ortakëritë, Raportimin e Blerjeve mbi 500€, Tatimin e Mbajtur në Burim dhe Procedurat e Rimbursimit të TVSh-së.

Tatimpaguesit, u njoftuan gjerësisht për mënyrën e deklarimit vjetor të Formularëve PD, CD, DO, me ç’rast janë pasqyruar edhe shembujt praktik për plotësimin e drejtë të këtyre deklaratave.

Gjithashtu, edhe për Raportimin e blerjeve mbi 500 euro, Tatimin e Mbajtur në Burim dhe Procedurat e Rimbursimit, janë shpalosur shembuj të ndryshëm, në mënyrë që të eliminohen gabimet gjatë aplikimit të këtyre proceseve.

Njëherësh, tatimpaguesit u informuan për risit e Sistemit Elektronik EDI, i cili që nga data 03 Mars 2014, mundëson Deklarimin Vjetor, në mënyrë elektronike për periudhën 2013, si: Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura Personale – PD, Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura të Korporatave – CD.

Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesi i seminareve, Sami Salihu – Menaxher i Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve.

Pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale informuese nga ATK, si: Doracak me pyetje pergjigje, Fletëpalosjet: “Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit”, Informata të Përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Pyetje – Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin Tatimor, Udhëzues mbi paraqitjen e informacioneve mbi Evazionin tatimor, Korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, gjithashtu janë shpërndarë edhe Kalendar Tatimor 2014, në të cilin përfshihen afatet e dorëzimit të deklaratave dhe llojet e tatimeve, etj.

Në këto seminare numri i të interesuarve ishte mjaft i lartë, ku pjesëmarrës ishin: tatimpaguesit, organizata biznesi, OJQ apo përfaqësues të tyre, si dhe përfaqësues të njësive të përhershme, kontabilist dhe qytetarë të interesuar.

Materiali i prezantuar në këto seminare, është në dispozicion të tatimpaguesve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org tek linku Multimedia – Materiale & Prezantime.