ATK tejkalon parashikimet dhe përmirëson shërbimet për tatimpaguesit Grumbullohen 261,1 milion euro

Publikuar më January 26, 2012 15:44

Me rastin e përmbylljes së vitit 2011 si dhe me qëllim të informimit publik, ATK mbajti sot konferencën e radhës për media ku u prezantua raporti vjetor i punës. Në këtë konferencë,  viti 2011 u cilësua si viti më i suksesshëm në përmirësimin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe në arkëtimin e të hyrave,  ku edhe këtë vit ATK ka luajtur rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë ekonomike të vendit duke grumbulluar 261,123,163 euro. “Në konferencën e sotme nuk do të fokusohemi vetëm në  grumbullimin e të hyrave pasi që mbledhja e tatimit ka qenë vetëm një nga shumë  veprimtaritë që kemi zhvilluar gjatë  vitit 2011.

Ajo çka ATK ka qenë e fokusuar gjatë pothuaj tërë vitit paraprak është zhvillimi i projekteve me rëndësi të lartë, të cilat u ofrojnë tatimpaguesve lehtësira në përmbushjen tatimore. Me një fjali mund të them se viti 2011 ka qenë vit i zhvillimit të projekteve për ofrimin e lehtësirave për tatimpaguesin”, – theksoi z. Haliti Z. Haliti gjithashtu shtoi se gjatë vitit 2011 në bashkëpunim me këshilltarët e USAID, ATK ka zhvilluar edhe shumë trajnime për Stafin e ATK-së, si dhe se kanë punuar në ngritjen e vetëdijes së Stafit për të Drejtat dhe Obligimet themelor të tatimpaguesve, duke ecur kështu në përputhje me njërën nga shtyllat kryesore të vizionit të ATK-së e cila sipas tij është që ATK të përbëhet nga personeli profesionist dhe energjik që do të garantojnë një nivel të lartë të transparencës në raport me tatimpaguesit, përmes të cilës ATK do të bëhet burimi kryesor i të hyrave për shtetin e Kosovës. Një risi tjetër e ATK-së ishte edhe e përzgjedhja e identitetit korporativ, përkatësisht logos: “Njëra nga deklaratat e vizionit të ATK-së është që të formojë dhe ta ruaj një imazh pozitiv për të mirën e shtetit të Kosovës, prandaj në përvjetorin e 12 të ATK-së ne kemi zgjedhur edhe identitetin korporativ të institucionit tonë” – u shpreh Drejtori i ATK-së, duke prezantuar logon e re të këtij institucioni. Gjithashtu, ky vit ka përfshirë edhe aktivitete të tjera siç janë: funksionalizimi i Deklarimit Elektronik – EDI, funksionalizimi i Qendrës së Thirrjeve, hartimi i Udhëzuesve Tatimor, zvogëlimi i procedurave për marrjen e NRF – tani merren në ditën e aplikimit, raportimi elektronik i blerjeve mbi 500 euro, Hartimi i Strategjisë së Përmbushjes 2012-2015, në bashkëpunim me ekspertët e FMN-së, Hartimi i Strategjisë së Teknologjisë Informative 2012-2015 e të tjera. Viti 2012 do të jetë një vit me plot sfida duke përfshirë realizimin e planit të të hyrave për vitin 2012, implementimin e Strategjisë së Përmbushjes 2012-2015, identifikimin e saktë dhe azhurnimin e regjistrit të tatimpaguesve, si dhe kushtet e punës ” tha Drejtori i ATK-së fund të këtij prezantim.