ATK: Tetori fillon me ndryshime

Publikuar më October 4, 2010 06:29

Administrata Tatimore e Kosovës me qëllim që t’u ofrojë tatimpaguesve kushte më të lehta në përmbushjen e obligimeve të tyre tatimore dhe në mënyrë që të rrisë efikasitetin e mbledhjes së tatimeve, që nga data 1 Tetor do të bëjë ngritjen dhe modernizimin e sistemit kompjuterik. Që nga kjo datë, për të shkarkuar Deklaratat Tatimore nga ueb faqja e ATK-së www.atk-ks.org si dhe për të gjitha Deklarimet apo Raportimet e tjera në ATK, secili tatimpagues do të jetë i obliguar që të shfrytëzojë VETËM Numrin Fiskal, që do të thotë se Numri i Biznesit apo Numri Identifikues që nga kjo datë nuk do të mund të përdoren për raportime tatimore.

Gjithashtu, Administrata Tatimore e Kosovës që nga 1 korriku 2010 ka filluar zbatimin e Ligjit të ri Nr. 03/L-146 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Me këtë Ligj kanë ndryshuar procedurat për Regjistrim dhe Çregjistrim në TVSH. Si pasoj e kësaj, ATK ka ndryshuar edhe Certifikatat për Regjistrim në TVSH. Tani e tutje do të ketë vetëm dy lloje të certifikatave e që do të jenë: “ÇERTIFIKATA PËR REGJISTRIM NË TVSH” e cila do t’i lëshohet Personit të Tatueshëm për TVSH i regjistruar me arritjen e pragut për Regjistrim apo në mënyrë vullnetare, si dhe “ÇERTIFIKATA PËR IMPORT DHE EKSPORT” e cila do t’i lëshohet të gjithë personave të cilët dëshirojnë të përfshihen në veprimtari Importi apo Eksporti por të cilët nuk do të jenë Persona të Tatueshëm për TVSH. Procesi i lëshimit të certifikatave të reja do të fillojë që nga data 1 Tetor, prandaj të gjithë ata që kanë certifikata të Regjistrimit për TVSH të lëshuara më herët nga ATK, të lajmërohen në ATK për të bërë ndërrimin e tyre. Procesi i ndërrimit të tyre do të vazhdojë deri më 30 nëntor 2010.

Që nga Tetori, ATK gjithashtu do të bëjë edhe modernizimin e faqes së internetit, duke e bërë më të lehtë përdorimin dhe shfrytëzimin e informatave dhe formularëve, si dhe duke pasur parasysh që të gjitha Deklaratat për Tatim mund të shkarkohen vetëm nëpërmjet faqes së internetit e cila është www.atk-ks.org.

ATK falënderon të gjithë tatimpaguesit për përmbushjen e obligimit tatimor, kontribut ky për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.