ATK vazhdon takimet me përfaqësuesit e bizneseve, takohet me AKB-në

Publikuar më March 4, 2011 15:30

(Prishtinë, 4 Mars 2011) Administrata Tatimore e Kosovës në krye me Drejtorin e Përgjithshëm z. Behxhet Haliti dhe zyrtarë të tjerë të ATK-së zhvilluan sot një drekë punë me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit të udhëhequr nga kryetari z. Agim Shahini, me qëllim të vazhdimit të komunikimit të përbashkët dhe diskutimit për së afërmi të çështjeve që mund t’i hasin bizneset gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre. 

Gjatë takimit u diskutua për një sërë çështjesh dukë përfshirë edhe procesin e fiskalizimit, modernizimit, e përkushtimit për zbatim sa më transparent e efektiv të shërbimeve, zbatimit të barabartë dhe të njëtrajtshëm të ligjit, si dhe angazhimit për përmbushjen vullnetare. Ne jemi duke përdorur sistemet të avancuara të teknologjisë informative për të shpejtuar proceset, eliminuar gabimet, për ta bërë më të lehtë që tatimpaguesit të deklarojnë si dhe me këto burime të teknologjisë ne jemi duke e zvogëluar rolin e faktori njeri , duke i ushtruar kështu kontrollet dhe veprimet e tjera në bazë të riskut i cili selekton raste për kontroll në mënyrë automatike – shtoi ndër të tjerat z. Haliti.

Në anën tjetër, z. Shahini duke përshëndetur këtë iniciativë të ATK-së theksoi se takimet e tilla përmirësojnë komunikimin në mes përfaqësuesve të bizneseve dhe institucionit të ATK-së duke u mundësuar kështu bizneseve të shprehin shqetësimet apo pengesat me të cilat ata preokupohen gjatë kryerjes së obligimeve tatimore si dhe duke vlerësuar dialogun si mundësi për t’u ndier më të mbrojtur me faktin që përmes komunikimit të mirëfilltë të krijohet një sistem tatimor që i mbron ata.

Gjatë takimit gjithashtu u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në parandalimin e ekonomisë joformale dhe zgjerimit horizontal të bazës tatimore si dhe të dyja palët u akorduan që takimet e tilla të jenë më të shpeshta dhe në baza të rregullta.