KOMUNIKATË PËR MEDIA – Memorandum Bashkëpunimi mes ATK-së dhe AKK-së

Bashkëpunimi ndërinstitucional i ATK-së në vazhdimësi është duke u rritur, i fundit që u finalizua në kuadër të një Memorandum Bashkëpunimi është ai me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.

Memorandumi është hartuar për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve ndërmjet Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Memorandumi në fjalë shpreh vullnetin e lirë të palëve nënshkruese për ta nxitur bashkëpunimin në fushën e hetimeve të shkeljes së Konkurrencës në Kosovë, dhe krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, bazuar në parimet e barazisë dhe të përfitimit reciprok.

Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është arritja e ujdisë midis palëve nënshkruese për realizimin më të suksesshëm të misioneve të tyre të cilat përqendrohen në:

-Politikën e konkurrencës të bazuar në implementimin e rregullave për të siguruar garën reciproke dhe të ndershme të kompanive në treg, duke e  inkurajuar ndërmarrësin dhe efikasitetin me qëllim të ofrimit konsumatorëve një zgjedhje më të gjerë, e cila e ndihmon reduktimin e çmimeve dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve, si dhe në:

-Mbledhjen e tatimeve dhe kontributeve, për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, duke tentuar që të bëhen gjithnjë e më të besueshëm dhe të respektuar, si dhe më të mirë krahasuar me administratat udhëheqëse tatimore në Evropë, gjithnjë duke zbatuar dispozitat e ligjit bazik për procedurat, Ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale, Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Ligjit për Tatimin në Vlerën e Shtuar si dhe çdo legjislacioni tjetër që mund t’i ngarkohet për administrim të çfarëdo lloji tatimi.