EULEX dhuron 40 vetura për ATK dhe Doganën

Publikuar më April 5, 2012 09:24

Në një ceremoni pranim – dorëzimi shefi i EULEX-it Xavier de Marnhac ka bërë dorëzimin tek ministri i Financave Bedri Hamza, të 40 veturave si donacion për Administratën Tatimorë dhe Doganën e Kosovës. 20 vetura do të jenë për ATK-në dhe 20 të tjera do të jenë për Doganën, të cilat do të jenë në shërbim të rritjes së efikasitetit të këtyre dy agjencive të Ministrisë së Financave.

Me rastin e dorëzimit shefi i EULEX-it Xavier de Marnhac, tha se “ka shumë mënyra në të cilat EULEX-i mund të ndihmojë institucionet e Kosovës për të përmirësuar kapacitetet e tyre që të mund të kryejnë detyrat sa më lehtë”.

Ai gjithashtu tha se “përmes monitorimit, këshillimit dhe  trajnimit,  ne mund të ndihmojmë institucionet e Kosovës, por gjithashtu ne mund të ndihmojmë këto institucione duke siguruar pajisje shtesë që kanë vlerë të konsiderueshme, sikur që jemi duke e bërë sot”.

Ndërsa, ministri Bedri Hamza, duke falënderuar z. De Marnhac dhe misionin e EULEX-it , tha se “jam i bindur se ky donacion do të përmirësojë ambientin për punë dhe kushtet e njerëzve që punojnë në këtë drejtim, për inspektorët tatimor dhe shërbimin e doganierëve dhe  këto vetura do të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë. Njëkohësisht do të përmirësojë kushtet për transportim të  doganierëve në pikat doganore, në kontroll më të mirë të Inspektorëve tatimor si dhe do të ndikoj edhe në luftimin e informalitetit. “

 “Ky donacion është i mirëseardhur dhe  vjen në kohën kur edhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në kursimin e buxhetit dhe uljen e shpenzimeve” shtoi ministri Hamza.