Inaugurimin e ndërtesës së re të Zyrës Regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës në Prizren

Publikuar më October 4, 2010 15:54

Qeveria e Kosovës e përkushtuar që të sigurojë një shërbim më cilësor për tatimpaguesit
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Ahmet Shala, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, z.Ramadan Muja dhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Behxhet Halimi, sot me 4 Tetor 2010, bënë inaugurimin e ndërtesës së re të Zyrës Regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës në Prizren.

Ministri Ahmet Shala gjatë kësaj ceremonie u shpreh se “Është kënaqësi që sot po marr pjesë në inaugurimin e zyrës regjionale të Administratës Tatimore në Prizren. Kjo është një dëshmi për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në veçanti, për të krijuar kushte më të mira të punës  për stafin e Administratës Tatimore që rrjedhimisht do të sigurojë një shërbim më cilësor për tatimpaguesit që mbulon kjo zyre regjionale tatimore. Ministria e Ekonomisë dhe Financave  gjithashtu është duke u angazhuar me shumë përkushtim për krijimin e kushteve më të mira edhe për zyrat tjera regjionale”.

Ai më tej shtoi se “ Administrata Tatimore falë rezultateve të ekipit  të saj menaxhues  është në rrugë të mbarë dhe në mënyrë të knaqëshme është duke plotësuar objektivat e saj  përmes një shërbimi transparent dhe cilësor për të mirën e tatimpaguesve kosovar dhe Kosovës në përgjithësi.

Ministri Shala, me këtë rast falënderoj edhe kryetarin ë Komunës së Prizrenit, z. Ramadan Muja , për bashkëpunimin e vazhdueshëm të komunës që ai drejton.

Nga ana tjetër, Behxhet Haliti, drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës me këtë rast u shprehë se ndërtimi i kushteve moderne për punëtorët tatimor, është shenjë e përkushtimit, që sipas tij ka Qeveria drejtë realizimit të objektivave për përmirësimin e kushteve të punës.

Në fund, Ministri Ahmet Shala, edhe një herë shfrytëzoj rastin t’iu bëjë thirrje të gjithë taksapaguesve që t’i kryejnë obligimet e tyre  tatimore, ku sipas tij me këtë do të ndihmojnë në mënyrë direkte edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.