KOMUNIKATË PËR MEDIA

Publikuar më January 4, 2017 09:13

Të nderuar qytetarë,

Administrata Tatimore e Kosovës, njofton qytetarët rreth aplikimit dhe dorëzimit të plikove me kuponë fiskal për TM4/2016 (tremujorin e katër 2016).

Aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal për TM4/2016, fillon nga data 01 Janar 2017 deri me 31 Janar 2017.

Aplikimi bëhet duke  plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal. Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org, në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal.

Vetëm pasi të keni aplikuar, përmes këtij aplikacioni, ju do të mund t’i dorëzoni fizikisht plikot në cilëndo pikë të Postës së Kosovës.

Afati i dorëzimit të plikove me Kuponë Fiskal bëhet nga data 01 Janar 2017 deri me 04 Shkurt 2017.

ATK, do të shqyrtoj të gjitha aplikacionet, si dhe do të rimbursoj mjetet, ashtu siç është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2015.

Që nga fillimi i kësaj kampanje e deri me tani numri i përgjithshëm i qytetarëve të rimbursuar është 847,185, ndërsa vlera e rimbursimit është 15,542,225 euro.