KOMUNIKATË PËR MEDIA – Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit për barrët tatimore të Ndërmarrjeve Shoqërore

Publikuar më October 29, 2013 13:14

1

Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë nënshkruar sot Memorandumin e Mirëkuptimit për barrët tatimore të vendosura në asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore. Memorandumi është avancim i mëtejmë i bashkëpunimit të dy institucioneve të shprehur edhe në memorandumin e vitit 2011.

Memorandumi i mirëkuptimit për barrët tatimore është përkrahur edhe nga Ministria e Financave e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky memorandum rregullon procedurat e pagesës së borxheve të Ndërmarrjeve Shoqërore që kanë barrë tatimore dhe rregullon procedurat përmes së cilave AKP mund të shes pasuritë e NSH-ve që i nënshtrohen barrës tatimore të regjistruar nga ATK dhe transferimit të barrës tatimore në mjetet nga shitja e pasurive të NSH-ve.

Sipas këtij memorandumi, parashihet që gjatë vitit 2014 Agjencia Kosovare e Privatizimit të   paguaj  rreth 30 milion euro ne emër të Ndërmarrjeve Shoqërore për ato NSH të cilat kanë borxhe të evidentuara nga Administrata Tatimore.

Bartja e mjeteve nga fondet e mirëbesimit të NSH-ve në likuidim do të bëhet duke u bazuar në nenin 41.3 të shtojcës së ligjit për Agjencinë Kosovare të 2Privatizimit pas plotësimit të kushteve të parapara në Memorandumin e Mirëkuptimit.

Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës z.Behxhet Haliti pas nënshkrimit të Memorandumit tha se ky Memorandum është në funksion të realizimit të një plani dinamik të trajtimit të borxheve që është duke e zhvilluar këto 3 vitet e fundit dhe duke mbajtur nivelin e stokut të borxheve në një nivel të arsyeshëm. Me këtë Memorandum ne do ti trajtojmë rreth 1/3 të stokut të borxheve të trashëguara për më shumë se 10 vite. Ne si Administratë tatimore presim që këto mjete të derdhen në buxhetin e Kosovës dhe rreth 10% do të jenë edhe për kontributet pensionale. Mendoj se është një beneficion i dyanshëm edhe për ne si institucione por edhe për të gjitha palët e interesit që janë të lidhura me ato ndërmarrje shoqërore.

Ndërsa z.Shkelzen Lluka Drejtor Ekzekutiv i Agjencionit Kosovar të Privatizimit tha se për AKP-në do të jetë një mundësi e mirë pasi që Agjencioni do të mund të bëjë shitjen e atyre aseteve që nuk ka mundur ti shes pasi që kanë pasur barrë tatimore, kurse dihet se likuidimi i një ndërmarrje shoqërore nuk mund të përfundoj derisa të shiten të gjitha asetet a ndërmarrjes. Në këtë rast përfitojnë të gjithë, edhe buxheti i Kosovës, edhe kreditorët dhe punëtorët .