KOMUNIKATË PËR MEDIA – Administrata Tatimore e Kosovës dhe Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar realizuan Seminaret për tatimpagues

Publikuar më February 13, 2016 06:51

semAdministrata Tatimore e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Kosovës për Raportim Financiar, përmbyllën seminaret e organizuara për tatimpagues në të gjitha regjionet, si: Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë dhe Gjilan.

Temat të cilat u prezantuan/trajtuan në këto seminare, ishin:

-Deklarimi vjetor për Biznese Individuale – PD

-Deklarimi vjetor për Korporata – CD

-Deklarimi vjetor për Ortakëritë – DO

-Raportimi i Blerjeve mbi 500 euro

-Raportimi Financiar i Ndërmarrjeve në Kosovë

Qëllimi i mbajtjes së këtyre seminareve ishte informimi i tatimpaguesve për deklarimin vjetor, duke përfshirë: deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat Personale, deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave, deklarimin e të Ardhurave nga Ortakëritë, Raportimin e Blerjeve mbi 500€ dhe Raportimin Financiar të Ndërmarrjeve në Kosovë.

Në Seminarin e organizuar në Prishtinë morën pjesë Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Sakip Imeri.

Me këtë rast, Ministri Avdullah Hoti, përgëzoi drejtuesit e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Këshillit Kosovar për Raportim Financiar për organizimin e këtij seminari dhe gjithashtu  tatimpaguesit për interesimin dhe pjesëmarrjen e madhe të tyre në këtë seminar.

Ai gjithashtu shprehi  gatishmërinë e Qeverisë për hartimin e politikave dhe ligjeve në favor të zhvillimit ekomomik në vend, me qëllim të përkrahjes sa më të madhe të sektorit privat, veçanërisht në tërheqjen e investimeve të reja dhe krijimit të vendeve të punës.

Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Sakip Imeri, falënderoi tatimpaguesit për pjesëmarrjen dhe i inkurajoj për përmbushjen e detyrimeve tatimore në mënyrë vullnetare. Në funksion të përmbushjes tatimore do të ketë modernizim të mëtutjeshëm të shërbimeve për tatimpaguesit.

Seminaret u prezantuan nga Sami Salihu u.d. i Drejtorit të Departamentit të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në ATK dhe zyrtarët e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar.

Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesit e seminareve.

Në këto seminare numri i të interesuarve ishte mjaft i lartë, ku pjesëmarrës ishin: tatimpaguesit, organizata biznesi, OJQ apo përfaqësues të tyre, si dhe përfaqësues të njësive të përhershme, kontabilistë dhe qytetarë të interesuar.

Materiali i prezantuar në këto seminare, është në dispozicion të tatimpaguesve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org tek linku Multimedia – Materiale & Prezantime.