KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK ka ngritur kallëzime penale për disa subjekte të lojërave të fatit

Publikuar më September 21, 2017 10:32

Administrata Tatimore e Kosovës është duke vazhduar që t’i ketë në fokus të veçantë të gjitha ato subjekte që zhvillojnë aktivitetin e lojërave të fatit, të cilat veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në mënyrë të jashtëligjshme.

Përveç gjobave, mbylljeve të lokaleve dhe konfiskimeve, gjatë aktiviteteve të fundit që kanë zhvilluar inspektorët nga Drejtoria e Lojërave të Fatit,  në komunën e Deçanit kanë ngritur edhe kallëzime penale për disa subjekte.

Gjatë një aksioni dy ditësh në këtë komunë,  janë mbyllur tri subjekte të lojërave të fatit, për të cilat janë lëshuar gjoba në vlerë 20,000 euro. Po ashtu, në këtë lokacion janë konfiskuar edhe 5 aparate (për veprimtarin e  lojërave te fatit). Inspektoret kanë hasur edhe në lokale të pa identifikuara tek të cilat janë vendosur shiritat e mbylljes.

Aksioni në këtë komunë do të vazhdoj edhe më tutje,  në mënyrë që të verifikohen të gjitha lokalet ku dyshohet se janë duke ushtruar veprimtarin e tyre pa licence.

Ndërsa, në një aksioni tjetër i cili është zhvilluar me datën 18.09.2017, në Prishtinë konkretisht në lagjen Kalabria janë mbyllur tri lokale, të cilat nuk e kanë respektuar distancën 500 m larg institucioneve edukativo-arsimore, fetare e komunale. Për këto subjekte janë lëshuar gjoba në vlerë 9, 000 euro.

Administrata Tatimore e Kosovës i bën thirrje të gjitha bizneseve që ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit të respektojnë ligjin,  pasi që në të kundërtën do të merren masat konform dispozitave ligjore.

ATK, në mënyrë që të jetë edhe më e suksesshme në zbatim e ligjit, mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit. Për këtë qëllim ftojmë qytetarët që të gjitha informatat e korrupsionit në lidhje me ATK-në dhe evazionin fiskal, t’i paraqesin në linjën pa pagesë 0800-80-800.