KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK ka shënuar rritje të të hyrave për 15.6 milionë euro ose 8.7 % më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

Publikuar më July 4, 2017 07:51

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore, Sakip Imeri ka mbajtur sot konferencë për media në të cilën ka prezantuar zhvillimet të cilat e kanë përcjell periudhën Janar-Qershor 2017.

Në këtë konferencë me fokus të veçantë u diskutua për të hyrat, për formën e re të rimbursimit nga kuponët fiskal, si dhe për raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Pasqyrat Financiare të vitit 2016.

Drejtori Imeri, para mediave tha se trendi i të hyrave ka shënuar rritje për 15.6 milionë euro ose 8.7 % më shumë, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjte me vitin e kaluar, deri më tani janë inkasuar të hyra në vlerë prej 192.9 milionë euro. Rritja e të hyrave është rezultat i ngritjes së nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, punës së palodhshme të zyrtarëve të administratës tatimore, modernizimit të shërbimeve tatimore dhe rritjes së komunikimit me tatimpaguesit.

Çështje tjetër me interes për tatimpaguesit është shfrytëzimi i Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, i cili është në fuqi deri me 31 gusht 2017, e nga i cili mund të përfitojnë të gjithë tatimpaguesit që kanë vështirësi financiare dhe kanë borxhe të papaguara.

U prezantua edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Pasqyrat Financiare të vitit 2016, ku ky raport është pa modifikuar dhe se Pasqyrat Financiare vjetore  paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale. Janë 14 çështje të rekomanduara, për të cilat ATK është duke bërë përgatitjen e planit të veprimit që të njëjtat të përmirësohen.

Po ashtu, gjatë këtij prezantimi u shpalosë edhe forma e re e rimbursimit nga kuponët fiskal, e cila është e përcaktuar me Udhëzimin e ri Administrativ MF-NR 01/2017, i cili ka hyrë në fuqi nga data 1 Korrik 2017. Ky udhëzim administrativ përcakton formën e aplikimit përmes të njëjtës vegël elektronike përmes web faqes së ATK-së, ndryshon vetëm forma dhe kriteret e rimbursimit. Plikoja duhet të ketë minimum 60 kupona fiskal dhe mbi 250 € vlerë monetare. Plikot ruhen nga qytetarët, dhe pas përzgjedhjes së fituesve e cila bëhet nga sistemi elektronik, në mënyrë publike, atëherë sillen në Zyrat e ATK-së për rimbursimin e fituesve Potencial.

Z. Imeri u bëri thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e kësaj kampanje pasi që rimbursimi-shpërblimi është 10 % e vlerës së kuponëve fiskal të plikos me një maksimum 100 €.

Drejtori në përmbyllje të takimit tha se ATK çdoherë ka në plan të parë tatimpaguesin, ofrimin e shërbimeve në mënyrë që ata ta kenë më të lehët përmbushjen e obligimeve tatimore.