KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK, mbajti takimin e radhës me palët e interesit

Publikuar më May 25, 2017 15:36

Me qëllim të adresimit të kërkesave dhe shqetësimeve të komunitetit të bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës  ka mbajtur sot takimin e rregullt konsultativ me palët e interesit.

Qëllimi i këtij takimi ishte që përfaqësuesit e bizneseve të njoftohen për së afërmi me të arriturat e deritanishme dhe reformat, të cilat janë duke u bërë në Administratën Tatimore, e konkretisht në digjitalizimin e shërbimeve tatimore të cilat janë zhvilluar gjatë këtij katër-mujori, si dhe shërbime të tjera të cilat planifikohen ti bashkohen platformës EDI brenda viti 2017.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri ju uroj mirëseardhje për përfaqësuesit e bizneseve dhe institucioneve, dhe theksoi se takimet e këtij niveli janë të një rëndësie të veçantë, pasi që përmes zërit të biznesit ne kemi arritur të kuptojmë nevojat dhe kërkesat e tatimpaguesve. “Ne çdoherë do të kemi në plan të parë tatimpaguesin, ofrimin e shërbimeve kualitative në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë përmbushjen e obligimeve tatimore, ku deri më tani konsiderojmë se kemi punuar me të gjitha kapacitetet në ofrimin e një infrastrukture në përkrahje të përmbushjes tatimore, si dhe shumë projekte tjera të cilat kanë ndikuar mjaft shumë në rritjen e nivelit të të hyrave, në mënyrë vullnetare nga ana e tatimpaguesve”.

Po ashtu, z. Imeri gjatë takimit prezantoj ndër shumë pika të tjera edhe lirimet nga TVSH-ja në importimin e lëndës së parë dhe pajisjet e teknologjisë informative. Që nga fillimi i aplikimit të këtij procesi janë trajtuar 657 kërkesa nga 239 tatimpagues. Nga numri i përgjithshëm i kërkesave janë aprovuar 625.

Ndërsa, gjatë takimit pjesëmarrësit-palët e interesit, kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje në të gjitha projektet të cilat janë në interes të tatimpaguesve. Ata po ashtu, theksuan se ngritja e kapaciteteve vepruese, rritja e shërbimeve kualitative ndaj tatimpaguesve, avancimi i sistemit të fiskalizimit dhe bashkëpunimi me institucionet tjera, janë duke treguar trende pozitive.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga Dogana e Kosovës, Policia e Kosovës, Zyra Kombëtarë e Auditimit, Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve, Këshilli i Investitorëve Evropian, Oda Ekonomike Amerikane, Aleanca Kosovare e Bizneseve, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, Oda Ekonomike Turke, Oda e Afaristëve të Kosovës.

ATK i falënderon të gjithë tatimpaguesit të cilët i kryejnë me kohë obligimet tatimore dhe njëkohësisht inkurajon tatimpaguesit që t’i deklarojnë dhe paguajnë tatimet që janë të përcaktuara me ligj.