KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK mbledh 5,7 milion euro, më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2015

Publikuar më May 5, 2016 15:22

Administrata Tatimore e Kosovës, ka mbajtur sot konferencën e rregullt vjetore për media, në të cilën është prezantuar raporti i punës për periudhën e punës Janar-Prill 2016, si dhe të arriturat tjera për këtë periudhë.

Ministri i Financave Avdullah Hoti në këtë konferencë tha se jemi të kënaqur me punën që është duke bërë Administrata Tatimore e Kosovës, ku si rezultat kemi një trend pozitiv të të hyrave për këtë katër mujor. “Unë me kënaqësi e them që të hyrat janë në trend pozitiv. Gjatë këtyre 4 muajve kemi pas një rritje prej 5.7 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra me vitin 2015.Po vazhdojmë me përmirësimin e ambientit për biznes, pasi aktivitetet që i kryen ATK lidhen me kushtet e të bërit biznes.Dhe ne presim që të kemi vlerësime pozitive nga raporti vjetor i Bankës Botërore sa i përket  kushteve të bërit biznes në Kosovë.  Jemi duke finalizuar një reformë sa i përket kësaj, tek numri unik i bizneseve që integron 3 numra të ndryshëm: numrin fiskal, numrin e regjistrimit të bizneseve dhe numrin doganor, në një numër të vetëm bazuar në një Memorandum në mes të Ministrisë së Financave, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  dhe Ministria e Administratës Publike, besoj se shumë shpejtë do të finalizohen aktivitetet që lidhen me këtë reformë dhe bizneset ta gjejnë shumë më të lehtë për të operuar në treg”, tha ministri Hoti.

Ndërsa,  Drejtori i Përgjithshëm Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri gjatë prezantimit të raportit katër mujorë të punës tha se si çdo vit tjetër edhe këtë vit Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon përkushtimin në krijimin e lehtësirave tatimore, përmbushjen vullnetare të obligimeve tatimore, si dhe realizimin e të hyrave. Të gjitha këto aktivitete bazohen në plane detale të veprimit duke filluar nga trajtimi i mos-deklarueseve, nën deklaruesve, regjistrimi i stokut, trajtimi i mallrave pa origjinë  për sektorë dhe industri me probabilitet të lartë të  riskut për të hyrat e pritura.

Ndër tjera,  z.Imeri tha se “Këto plane janë shumë dimensionale dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, të bazuara në përvojën dhe rrethanat Kosovare. Në këto plane, nga faza fillestare deri te implementimi mund të shihet se kujdesin dhe përqendrimin kryesor e kanë ofrimin e sa më shumë lehtësirave për tatimpagues, si dhe lehtësira per funksionim më të mirë për ATK-në, ashtu që të ketë qasje objektive dhe profesionale në trajtimin e kërkesave të tatimpaguesve dhe kryerjen e funksioneve të ATK-së,  me qëllim të realizimit të misionit në  mbledhjen e të hyrave të planifikuara. Deri më tani per periudhën Janar-Prill 2016 kemi realizuar 132,074,390.78 €, ose 5,7 milion € më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2015”.

Gjatë kësaj konference u përmend edhe disa të arritura tjera të cilat do të krijojnë një infrastrukturë më të lehtë në kryerjen e obligimeve tatimore, si dhe në rritjen e transparencës ndaj tatimpaguesve: Platforma e Deklarimit Elektronik të Tatimeve (EDI) është avancuar me mundësi më të mëdha të shërbimeve, përmes së cilës tani mund të kryhen Deklarimi dhe pagesa e Tatimit në Paga dhe Kontribute Pensionale; Deklarimi dhe pagesa vetëm e Tatimit në Paga; Deklarimi dhe pagesa vetëm e Kontributeve Pensionale; Deklarimi me zero; si dhe Deklarimi me pagë zero.  Në funksion të nxitjes së qytetarëve për procesin e fiskalizimit, rimbursimi nga grumbullimi i kuponëve fiskal kryhet në bashkëpunim me Postën e Kosovës. Zyrtarët e ATK-së janë pjesë aktive e Grupit koordinues për procesin e bashkimit të ATK-së dhe Doganës në një Agjenci të vetme të të hyrave, Implementimi i Strategjisë së Përmbushjes 2015-2020, Shfrytëzimi i burimeve në mënyrë më efektive për të siguruar përmbushje të ligjeve nga tatimpaguesit, me një organizim të ri dhe një Strukturë të re Organizative.