KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK prezanton rezultatet e vitit 2019

Sot përmes një konference për media Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj ka shpalosur rezultatet e punës për vitin 2019.

Para mediave u prezantuan statistika të shumta të aktiviteteve të zhvilluar në vitin 2019, të cilat kanë dhënë rezultate pozitive në realizimin e objektivave të parapara. Gjatë kësaj konference drejtori Murtezaj tha se viti 2019 do të mbahet mend për realizimin e mbi gjysmë miliardi euro (504,503,833) të hyra, si dhe për zvogëlimin e stokut të borxheve për 21.8 milion euro, ku njëkohësisht është arritur të inkasohen 33.4 milion euro borxhe më shumë apo shprehur në përqindje 44.7% më shumë se viti 2018.

Realizimi i të hyrave dhe zvogëlimi i borxheve tatimore nuk kanë qenë synime të vetme të administratës tatimore, sepse në vitin 2019 fokus të veçantë ka pasur edhe luftimi dhe parandalimi i ekonomisë jo-formale, ku përveç shumë aktiviteteve që janë zhvilluar për këtë fushë, vitin që shkoj ATK ka hartuar Planin për Përmirësimin e Përmbushjes në Sektorin e Ndërtimtarisë 2019-2021,  ku përmes këtij plani  ATK do të kryejë aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave, të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre sipas legjislacionit tatimor. Ky plan është pjesë Planit Afatmesëm të Reformës 2019-2021, në të cilin hynë edhe reforma të tjera, si ajo e konsolidimit të mbledhjes së detyrueshme, automatizimit të proceseve të punës, rimbursimit të TVSH-së, kontrollit tatimor, si dhe modernizimit të teknologjisë informative.

Në këtë konferencë ishte prezent zv/Ministri i Financave Fatmir Gashi, i cila u shpreh se “Administrata Tatimore e Kosovës me punën dhe angazhimin e treguar na bënë të ndihemi krenar secilin prej nesh, duke pas parasysh se janë tejkaluar parashikimet e parapara për vitin 2019”, zv/ministri Gashi tutje tha se ulja e nivelit të borxheve në këtë masë kaq të madhe ul edhe ekonomin jo-formale në vend. Po ashtu, zv/ministri Gashi potencoj se Ministria e Financave do të jetë mbështetësja më e madhe e ATK-së në arritjen e misionit të saj.

Në përmbyllje të kësaj konference, drejtori i ATK-së falënderoj mediat për bashkëpunimin e treguar në vazhdimësi, në promovimin e aktiviteteve të ATK-së, në të njëjtën kohë kërkoj nga të gjithë tatimpaguesit, që të kryejnë në kohë obligimet tatimore që janë të përcaktuar me ligj!