KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK realizoi Seminar për anëtarët e IKAF

Publikuar më March 10, 2016 15:43

seminarAnetaretIkafAdministrata Tatimore e Kosovës gjatë ditës së djeshme, në mbështetje të Edukimit të vazhdueshëm profesional, ka realizuar seminar për anëtarët e Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa – IKAF.

Temat të cilat u prezantuan/trajtuan në këtë seminar, ishin:

-Aplikimi i ngarkesës së kundërt të TVSH-së për shërbimet në lëmin e ndërtimit;

-Deklarimi vjetor për Biznese Individuale – PD

-Deklarimi vjetor për Korporata – CD

-Deklarimi vjetor për Ortakëritë – DO

-Raportimi i Blerjeve mbi 500 euro

-Raportimi Financiar i Ndërmarrjeve në Kosovë

Qëllimi i mbajtjes së këtij seminari ishte informimi i anëtarëve të IKAF, për: aplikimin e ngarkesës së kundërt të TVSH-së për shërbimet në lëmin e ndërtimit, deklarimin vjetor, duke përfshirë: deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat Personale, deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave, deklarimin e të Ardhurave nga Ortakëritë, Raportimin e Blerjeve mbi 500€ dhe Raportimin Financiar të Ndërmarrjeve në Kosovë.

Temat e lartpërmendura u prezantuan nga Sami Salihu – u.d. i Drejtorit të Departamentit të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në ATK dhe Isen Lipovica – Menaxher i Lartë për Politika dhe Procedura në ATK, përveç temës Raportimi Financiar i Ndërmarrjeve në Kosovë, e cila është prezantuar nga Hajdar Hoxha – Auditor i licencuar.

Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesit e seminarit.

Materiali i prezantuar në këtë seminar, është në dispozicion të tatimpaguesve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org tek linku Multimedia – Materiale & Prezantime.

Administrata Tatimore e Kosovës