KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK realizoi Seminare me Shoqatat e Kontabilitetit

Publikuar më December 29, 2016 08:08

Administrata Tatimore e Kosovës, në mbështetje të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP), ka realizuar seminare me Shoqatat e Kontabilitetit në Kosovë, si: Institutin për Kontabilitet, Auditim dhe Financa – IKAF dhe Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës – SHKÇAK.

Temat të cilat u prezantuan/trajtuan në këto seminare, ishin:

  • Detyrimi për të paguar TVSH-në për furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit – Aplikimi i ngarkesës së kundërt të TVSH-së brenda vendit;
  • Deklarimi dhe Pagesa e Sigurimit Shëndetësor.

Qëllimi i mbajtjes së këtyre seminareve ishte informimi i anëtarëve të Shoqatave të Kontabilitetit, lidhur me trajtimin tatimor për aspekte të TVSH-së për furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit, respektivisht aplikimin e ngarkesës së kundërt (Reverse Charge) për TVSH brenda vendit, si dhe Deklarimin dhe Pagesën e Sigurimit Shëndetësor.

Pjesëmarrësit u njoftuan gjerësisht për mënyrën e aplikimit të ngarkesës së kundërt për TVSH brenda vendit, me ç’rast janë pasqyruar edhe shembujt praktik për plotësimin e drejtë të deklaratës tatimore për TVSH. Gjithashtu, edhe për Deklarimin dhe Pagesën e Sigurimit Shëndetësor, janë shpalosur shembuj të ndryshëm, përmes të cilëve pjesëmarrësit u informuan për mënyrën e saktë të deklarimit.

Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesit e temave në seminar.

Në këto seminare pjesëmarrës ishin: anëtarët e Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa dhe Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës.

Materiali i prezantuar në këto seminare është publikuar në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org tek linku Multimedia – Materiale & Prezantime.