KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK së shpejti me produkt të ri elektronik

Publikuar më May 29, 2013 10:52

DSC_0008

Administrata Tatimore e Kosovës, vazhdimisht është në përpjekje që të ofroj lehtësira më të mëdha për tatimpagues. Së shpejti do të mundësoj edhe një shërbim të ri elektronik “on-line”, ku përmes ueb-faqes së ATK-së, do të mundësohet pajisja me Vërtetim Tatimor për personat fizik.
Me këtë rast ATK ka mbajtur seminar me përfaqësuesit e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës-SHKCAK.
Qëllimi i këtij seminari ishte prezantimi i mënyrës së pajisjes me Vërtetimit Tatimor përmes ueb-faqes në mënyrë on-line. Në kuadër të këtij seminari u tha se Vërtetimi i lëshuar në formë elektronike nga ATK, do të jetë dokument i plotfuqishëm, ndërsa vërtetësia e përmbajtjes së këtij dokumenti, do të mund të verifikohet përmes adresës elektronike të ATK-së www.evertetimi.atk-ks.org, në çdo kohë dhe nga kushdo.

Vërtetimi tatimor është dokumenti i cili tregon gjendjen aktuale tatimore të tatimpaguesit, i lëshuar nga ATK dhe i cili do të shfrytëzohet për qëllime të ndryshme, si: aplikim për vizë, lirim nga shtetësia, fitim i shtetësisë, vazhdim i lejes së qëndrimit në Kosovë, pushim të lehonisë, e tjera.

Një vërtetim i tillë do të lëshohet varësisht nga gjendja e tatimpaguesit në ATK dhe atë, me njërën nga këto tri arsyeje:
• Personi është i regjistruar në ATK dhe NUK ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera apo obligime tjera tatimore.
• Personi është i regjistruar në ATK dhe KA borxhe tatimore apo obligime tjera tatimore të pa shlyera dhe
• ATK nuk ka shënime për personin.

Vlen të theksohet se përveç prezantimit, në këtë seminar është bërë edhe demonstrimi praktik se si bëhet regjistrimi i personit fizik në sistemin on-line të ATK-së, kërkesa për vërtetim tatimor, marrja e vërtetimit tatimor, verifikimi i vërtetimit tatimor, si dhe pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale me interes, ndër ta edhe udhëzuesi për lëshimin e Vërtetimit Tatimor për Persona Fizik, kushtet se si duhet të përdoret sistemi on-line i ATK-së, etj.
Gjatë këtij seminari, të pranishmit kanë parashtruar pyetje lidhur rreth temës, për të cilat kanë marrë përgjigje adekuate nga përfaqësuesit e ATK-së.
Nxjerrja e Vërtetimit Tatimor në mënyrë elektronike, do të filloj nga muaji i ardhshëm.