Vizita ne Gjermani

KOMUNIKATË PËR MEDIA – Delegacioni i ATK-së viziton Parlamentin e Landit të Bavarisë në Gjermani

Në kuadër të vizitës së organizuar nga Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim në emër të Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), delegacioni i ATK-së vizitoi Parlamentin e Landit të Bavarisë dhe mbajti një takim me z. Wolfgang Fackler, deputet i CSU-së dhe Kryetar i Komisionit për çështje të Shërbimeve Publike.

Z. Fackler shprehu interesimin e tij për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, me theks të veçantë në zhvillimet në fushën ekonomike dhe financiare, duke qenë se z. Fackler para se të fillonte karrierën politike kishte shërbyer në Ministrinë e Financave, përkatësisht në Administratën Tatimore të Bavarisë. Z. Fackler premtoi se do të angazhohet që Landi i Bavarisë të vazhdojë të ndihmojë institucionet e Kosovës dhe gjithashtu, premtoi se do të vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt.

Delegacioni i ATK-së, po qëndron në Bavari për një vizitë në kuadër të bashkëpunimit me Administratën Tatimore të Bavarisë, që mundësohet nga zyra e GIZ-së në Kosovë, përkatësisht Projekti për Qeverisje të Mirë Financiare. Qëllimi i vizitës është marrja e praktikave të mira në fushën e menaxhimit të rrezikut dhe mundësia e implementimit të tyre në Kosovë.