raporti_tremujor

KOMUNIKATË PËR MEDIA – Diskutohen rezultatet e raportit tremujor

Këshilli drejtues i projektit të financuar nga BE-ja “Mbështetje e mëtejshme Institucioneve të Kosovës në luftën kundër Krimit të Organizuar, Korrupsionit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm” ka diskutuar raportin e progresit tremujor

Sot është mbajt takimi i radhës i këshillit drejtues të projektit të financuar nga BE “Mbështetje e mëtejshme Institucioneve të Kosovës në luftën kundër Krimit të Organizuar, Korrupsionit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm” me qëllim të diskutimit të raportit tremujor.

Pjese e këtij takimi ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Sakip Imeri, i cili njeherit ishte edhe kryesues i këtij takimi. Gjatë fjalimit të tij drejtori Imeri tha se “takimet e tilla si kjo e sotmja do na shërbejnë për vazhdimin e punës së palodhur në ngritjen dhe përforcimin e bashkëpunimit në luftën kundër ekonomisë jo formale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve financiare. Ekonomia jo formale, pastrimi i parave dhe krimet tjera financiare në tërësi paraqesin një faktor kompleks në natyrë dhe njëkohësisht të rëndësishëm që preokupon të gjitha vendet në rajon dhe më gjerë, të cilat dëmtojnë seriozisht ekonominë dhe shoqërinë si tërësi, të cilat nuk kufizohen vetëm në sektorin publik por prekin edhe aktivitetet e biznesit duke dëmtuar konkurrencën lojale”.

Tutje shtoj se ekonomia joformale në shkallë të gjerë dëmton buxhetin e qeverisë duke ndikuar në dobësimin e infrastrukturës shtetërore, si dhe aftësinë e shoqërisë për të ofruar shërbime publike të mirëfillta. Në përgjithësi ndikon në uljen e mirëqenies shoqërore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Deri më tani kemi arritur të zbatojmë një numër të konsiderueshëm të aktiviteteve, duke prodhuar rezultatet inkurajuese të cilat janë reflektuar në ngritje të vazhdueshme të hyrave, si rezultat i veprimeve të ndërmarra për mbledhjen e të hyrave dhe përforcimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndër-institucional.

Përfaqësuesi nga zyra e BE-së theksoi se ky projekt ka bërë punë të shkëlqyer duke u fokusuar në rezultate dhe se projekti është shembulli më konkret, se si duhet të atakohet krimi i organizuar, korrupsioni dhe pastrimi i parasë.

Udhëheqësi i projektit i falënderoi të gjitha institucionet relevante në përpjekjet e tyre për të luftuar këto fenomene negative të vendit.

Në këtë takim ishin të gjitha institucionet të cilat janë përgjegjëse në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm, të cilat njëherit janë pjesë e këshillit drejtues të këtij projekti financuar nga zyra e BE-së në Kosovë.

Projekti implementohet nga një konsorcium i përbërë nga B&S Evrope dhe Kosovo Legal Services Company – KLSC.