KOMUNIKATË PËR MEDIA – Donatorët premtojnë vazhdimin e mbështetjes për ATK-në

Publikuar më June 11, 2013 14:49

DSC_0038

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur takimin e radhës me donator, takim ky që është bërë tanimë i rregullt. Në këtë takim pjesëmarrës kanë qenë përfaqësues nga Ministria e Financave,  ECLO, USAID, GIZ, etj. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i të arriturave të ATK-së deri më tani, projektet aktuale dhe shpalosja e planeve për të ardhmen dhe nevojave për asistencë.

Në takim Menaxhmenti i ATK-së ka prezantuar progresin e deri tanishëm, duke përfshirë këtu ofrimin e lehtësirave për përmbushje vullnetare, trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve si dhe realizimin e planifikimeve për  mbledhjen e të hyrave.

Drejtori i ATK-së z. Behxhet Haliti potencoi edhe njëherë rëndësinë e madhe që ka mbështetja e donatorëve përmes asistencës, dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në progresin e ATK-së. z. Haliti më këtë rast tha se falë asistencës tuaj ATK nga viti në vit po tregon trend rritës në përmbushjen vullnetare të obligimeve, kjo përmes ofrimit të shërbimeve profesionale, transparente dhe efektive dhe përmes zbatimit të drejtë dhe të njëllojshëm të ligjeve tatimore. Gjatë këtij takimi u shpalosën fushat në  të cilat Administrata Tatimore ka nevojë për asistencë, dhe të cilat do të kenë rol të rëndësishëm drejtë realizimit të objektivave.

Përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse në takim të cilat mbështesin vazhdimisht ATK-në, shprehën kënaqësinë për progresin që është duke treguar ATK-ja, dhe janë të kënaqur që janë pjesë e këtij suksesi. Me këtë rast ata premtuan se do te vazhdojnë mbështetjen  edhe vitet e ardhshme në fusha të caktuara. Vlerësuan arritjet dhe qasjen e re, me theks të veçantë për trendin rritës në mbledhjen e të hyrave.

Sipas tyre,  trajtimi korrekt i tatimpaguesve dhe shërbimet e ofruara, tregojnë përkushtimin e pandërprerë të administratës tatimore për tatimpaguesit në Kosovë.

Takimi i radhës planifikohet të mbahet në fund të këtij viti.