KOMUNIKATË PËR MEDIA – Donatoret vazhdojnë mbështetjen e tyre për ATK-në

Publikuar më May 19, 2016 20:42

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur takimin e radhës me donator, i cili mbahet çdo vit. Në takim pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, USAID, GIZ, Ambasada e Shqipërisë, Ambasada e Francës, Ambasada Britanisë, Komisioni Evropian, IFC.  Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i progresit të ATK-së deri më tani, mbështetja e deritanishme nga donatoret dhe prezantimi i nevojave për mbështetje në të ardhmen.

Në takim drejtori i ATK-së z. Sakip Imeri tha se Administrata Tatimore ka shënuar progres me theks të veçantë  në ofrimin e lehtësirave për përmbushje vullnetare, të cilat ndikojnë në trajtimin e barabartë të të  gjithë tatimpaguesve si dhe realizimin me sukses të planit për  mbledhjen e të hyrave.

z. Imeri duke i falënderuar përfaqësuesit e donatoreve për përkrahjen e deritanishme, ka shprehur gatishmërinë e ATK-së për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, për arritjen e sukseseve të përbashkëta. Ai gjithashtu, shpalosi progresin e arritur për vitin 2015 dhe për periudhën janar-prill 2016.

Edhe këtë vit ATK ka vazhduar me realizimin e objektivave sipas planeve të parapara: operative dhe strategjike në nivel të institucionit dhe qeverisë.

Administrata Tatimore e Kosovës çdoherë është fokusuar në ofrimin e shërbimeve profesionale dhe rritjen e komunikimit me tatimpagues, të cilat do të krijojnë një infrastrukturë më të lehtë në kryerjen e obligimeve tatimore, si dhe në rritjen e transparencës ndaj tatimpaguesve: Platforma e Deklarimit Elektronik të Tatimeve (EDI) është avancuar me mundësi më të mëdha të shërbimeve, përmes së cilës tani mund të kryhet Deklarimi dhe pagesa e Tatimit në Paga dhe Kontribute Pensionale; Deklarimi dhe pagesa vetëm e Tatimit në Paga; Deklarimi dhe pagesa vetëm e Kontributeve Pensionale; Deklarimi me zero; si dhe Deklarimi me pagë zero. Lirimet nga TVSH për importet e  lendës së  parë dhe pajisje të IT-se; përshkallëzimi i TVSH-së në shkallën e reduktuar 8% për produkte jetike dhe shkallës standarde prej 18%; Lehtësimi i proceduarave të rimbursimit të TVSH-së, etj.

Për planet në të ardhmen, Drejtori potencoi se ATK ka nevojë që të kemi mbështetje në disa fusha tjera me interes si:

  • Sistemi i TI,
  • Projekti ZGjONA (zgjerimi edhe në fushën penale),
  • Kontrollet elektronike (funksionalizimi dhe zgjerimi i tyre),
  • Arkivimi i dokumenteve zyrtare, përfshi edhe arkivimi elektronik të dosjeve,
  • Mbështetja profesionale (ekspertiza ligjore për çështjet delikate, trajnimet specifike si: transferi i çmimit, tatuarja ndërkombëtare, shërbimet elektronike, etj.),

Përfaqësuesit e donatoreve pjesëmarrëse në takim, të cilët mbështesin vazhdimisht ATK-në, shprehën kënaqësinë për progresin që është duke arritur ATK-ja, për të cilin janë kontribut-dhënës. U vlerësuar  trendi rritës në mbledhjen e të hyrave nga viti në vit, me theks të veçantë ofrimi e lehtësirave për tatimpagues, që janë pasqyruar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare. Ata po ashtu,  premtuan se do të vazhdojnë mbështetjen edhe në të ardhshme në fusha të caktuara. Sipas tyre, trajtimi korrekt i tatimpaguesve dhe shërbimet e ofruara, tregojnë përkushtimin e pandërprerë të administratës tatimore për tatimpaguesit në Kosovë.