KOMUNIKATË PËR MEDIA – Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së mban takim me Kryeshefin Ekzekutiv të ARBK-së dhe përfaqësuesit e USAID

Publikuar më March 23, 2016 14:26

DSC_0148Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, mbajti takim me Kryeshefin Ekzekutiv të ARBK-së, Gazmend Mejzini dhe përfaqësuesit e USAID, me ç’rast u diskutua për përmirësimin e ambientit në të bërit biznes.

Në këtë takim u diskutua rreth bashkëpunimit të ATK-së dhe ARBK-së në të ardhmen, në funksion të ofrimit të shërbimeve për bizneset, harmonizimet ligjore për regjistrimin e bizneseve, si dhe për Indikatorin e raportit të Bankës Botërore për të bërit Biznes, gjegjësisht për reformat që priten për thjeshtësimin dhe lehtësimin e procedurave për bizneset e reja.

Përfaqësuesit e USAID ofruan përkrahje për ATK-në dhe ARBK-në për identifikimin e barrierave dhe përshtatjen e praktikave më të mira për procesin e të bërit biznes, si dhe për përgatitjet për vlerësimin e radhës së raportit të të bërit biznes.

Drejtori i i Përgjithshëm i ATK-së, tha se me përkushtim të veçantë në vazhdimësi do të mbështes reformat për përmirësimin e ambientit në të bërit biznes, si dhe i siguroi të pranishmit se përmes bashkëpunimit të plotë me ARBK dhe USAID do të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e procedurave lehtësuese në të bërit biznes. Ai gjithashtu falënderoi përfaqësuesit e ARBK dhe USAID për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar ATK-së.

Në përmbyllje të takimit Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, tha se Administrata Tatimore e Kosovës çdoherë ka në plan të parë tatimpaguesin, ofrimin e shërbimeve profesionale në çdo kohë, me qëllim që tatimpaguesit ta kenë më të lehtë përmbushjen e obligimeve tatimore.

Administrata Tatimore e Kosovës