Komunikatë për media – ATK: Edukim dhe shërbim tatimor për çdo tatimpagues

Publikuar më September 6, 2012 14:39

Administrata Tatimore e Kosovës,  gjatë kësaj jave ka mbajtur seminare me tatimpagues të komunitetit serb në komunën e Graçanicës dhe Shtërpcës. Temat e prezantuara në këto seminare, ishin: Reformat në Regjistrimin e Bizneseve, Reformat në Deklarimin dhe Pagesën e Tatimeve dhe Kontributeve Pensionale në mënyrë elektronike, Shembull praktik si regjistrohet tatimpaguesi në EDI, si bëhet deklarimi dhe pagesa e tatimit përmes EDI-t, Legjislacioni tatimor dhe risitë në legjislacionin tatimor, si dhe të rejat nga ATK.

Gjithashtu, në këto seminare me shembuj praktik janë prezantuar format si bëhet regjistrimi i biznesit, deklarimi dhe pagesa përmes sistemit elektronik – EDI.

Në këto seminare pjesëmarrësit u informuan, lidhur me reformat në regjistrimin e biznesit, mënyrën e përdorimit të deklarimit elektronik për Tatim në Paga dhe Kontribute Pensionale dhe TVSh, deklarim i cili është në dispozicion të tatimpaguesve që nga data 1 Maj 2012, ku fillimisht do të jetë mundësi alternative e deklarimit, e nuk do të jetë domosdo e vetmja formë e deklarimit të tatimeve dhe Kontributeve Pensionale.

ATK, që nga tremujori i fundit i vitit 2012 do të ndërpresë mundësinë e shkarkimit të formularëve elektronik për Tatimet dhe Kontribute Pensionale dhe TVSh që do të mundësohen të deklarohen dhe paguhen përmes EDI-t.

Pra, pjesëmarrësit u njoftuan për periudhën, e cila do të jetë parapërgatitore, informuese e vetëdijësuese për punëdhënësit deri në kalimin e plotë dhe të vetëm në sistemin e deklarimit elektronik.

Duke filluar nga periudha 10/2012, asnjë raportim a deklarim në formë tjetër për Kontributin Pensional, Tatimin në Paga dhe TVSh, përveç deklarimit elektronik përmes ueb-faqes së ATK-së, nuk mund të përdoret nga tatimpaguesit.

Përveç temave të lartpërmendura në këto seminare me fokus të veçantë janë trajtuar edhe çështje të tjera si: ndryshimet në Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, Tatimin në Vlerën e Shtuar, Tatimin në të Ardhurat Personale, si dhe Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale informuese, si fletëpalosjet: “Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit”, Informata të përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Pyetje – Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin tatimor, Udhëzuesi mbi paraqitjen e Informacioneve mbi Evazionin tatimor, korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, si dhe Broshura – Regjistrohu, deklaro dhe paguaj tatimin.

Po ashtu, janë shpërndarë edhe njoftimet e publikuara, si: Regjistrimi i veprimtarive ekonomike dhe deklarimi i të punësuarve, Deklarimi dhe korrigjimi i të ardhurave, në mënyrë reale, Raportimi i blerjeve mbi 500 euro, si dhe Njoftimi për ndryshimet në Legjislacionin Tatimor.

Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, ATK iu ka ofruar përgjigje adekuate.