KOMUNIKATË PËR MEDIA – Konfiskimin i pasurisë për mos pagesës të borxheve ndaj ATK-së

Publikuar më April 3, 2014 15:27

Administrata Tatimore e Kosovës,  ju njofton se me qëllim të inaksimit të borxheve tatimore ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për konfiskimin e pasurisë bazuar në ligjin Nr.03/L-222 Për Administratën Tatimore dhe Procedurat nenit 34-Mase për marrje pasurie, paragrafi 1 citojmë:

Në qoftë se një person i cili është i detyruar të paguajë një lloj tatimi nuk paguan ose refuzon të paguajë brenda dhjetë (10) ditëve pas dorëzimit të një njoftimi për vlerësim, Drejtori i Përgjithshëm ose zyrtari i autorizuar me shkrim nga Drejtori i Përgjithshëm ka të drejtë të ligjshme të mbledhë shumën e tillë (dhe shuma të tjera që janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e masës për marrje pasurie) me masën për konfiskim pasurie që i përket personit të tillë (qoftë në pronësi fizike të tatimpaguesit ose një personi të tretë)”.

ATK, bazuar në ligjet në fuqi, pas respektimit të të gjitha procedurave, ka konfiskuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si tokë, objekte afariste e automjete që tejkalojnë shumën 500.000 euro, për të shlyer borxhet e prapambetura.

Këto aktivitete do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim,  për të gjithë ata tatimpagues borxhli të cilët nuk kanë paguar obligimet e tyre edhe përkundër njoftimeve paraprake nga ATK për veprimet që do t’i ndërmerrte nëse nuk kryhen të gjitha obligimet e parapara sipas ligjeve në fuqi.

Inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit që t’i kryejnë obligimet e tyre, në mënyrë që të shmangin ndërmarrjen e veprimeve të tilla nga ATK, për të cilat është e detyruar me ligj t’i ndërmerr pas shterjes së të gjitha mundësive tjera për inkasimin e borxhit.