KOMUNIKATË PËR MEDIA – Modernizimi i moduleve për zgjerimin dhe avancimin e analizës së rrezikut

Në vazhdën e modernizimit të moduleve dhe veglave për identifikimin e tatimpaguesve delikuent si dhe në zvogëlimin e ekonomisë joformale, Grupi Punues i emëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, në përbërjen e anëtarëve nga departamente të ndryshme si: Menaxhimi i Rrezikut, Kontrolli, Edukimi, etj. ka përfunduar punën e tij lidhur në zgjerimin dhe avancimin e modulit të rrezikut, me ç‘rast është bërë një punë shumë e mirë në drejtim të avancimit të mëtutjeshëm të rregullave të rrezikut për secilin lloj të tatimit, përkatësisht secilën llogari tatimore.

Avancimi i këtij moduli do mbështesë fuqishëm Divizionin për Menaxhimin e Rrezikut në zbatimin e plotë të modelit të ndjekur deri më tani nga vet Divizioni për menaxhimin e rreziqeve të përmbushjes.

Moduli i analizës së rrezikut me rastin e poentimit të shkallës së rrezikshmërisë së një tatimpaguesi merr për bazë dy kategori të mëdha të indikatorëve, dhe atë: Rëndësinë financiare  dhe Vlerësimin e rrezikut. Këta dy indikatorë janë pjesë e secilës nga katër fushat apo kërkesat e përmbushjes së detyrimeve tatimore gjatë procesit të vlerësimit të tatimpaguesve, siç janë: Regjistrimi, Dokumentimi, Deklarimi dhe Pagesa.

Bazuar në vlerësimin e bërë nga indikatorët e lartpërmendur, Moduli i Analizës së Rrezikut ndanë të gjithë tatimpaguesit në katër kategori të mëdha të cilat po ashtu i shfaqë edhe grafikisht, dhe atë si:

  • Tatimpaguesit me rrezik të lartë (kuqe)
  • Tatimpaguesit kyç (verdhë)
  • Tatimpaguesit me rrezik të mesëm (portokalli)
  • Tatimpaguesit me rrezik të ulët (gjelbër)

Në vijim do paraqesim dritaren kryesore të vlerësimit të rreziqeve së bashku me paraqitjen grafike, ku pikat në hartë tregojnë tatimpaguesit, përkatësisht pozicionin e tyre në ndonjërën nga katër kategoritë e vlerësimit të rrezikut.