KOMUNIKATË PËR MEDIA – Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes ATK-së dhe KPK-së

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial i Kosovës, Bahri Hyseni kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për ndërlidhjen e sistemeve elektronike dhe shkëmbimin e të dhënave në formë elektronike mes KPK-së dhe ATK-së.

Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjitha të dhënat nga ATK-ja në prokurorinë përkatëse do të dërgohen në formë elektronike nga sistemet e tyre për menaxhimin e rasteve dhe anasjelltas. Po ashtu, KPK-ja dhe ATK-ja obligohen për formimin e një grupi të përbashkët për përcaktimin dhe mënyrën e shkëmbimit të të dhënave nga sistemet elektronike.

Sipas marrëveshjes, grupi i përbashkët ka për obligim përgatitjen e Procedurës Standarde të Veprimit (PSV), e cila përmban të dhënat që do të shkëmbehen.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Drejtori Murtezaj dhe Kryesuesi Hyseni thanë se kjo marrëveshje do të fuqizojë bashkëpunimin në mes të dy institucioneve dhe do të ngritë efikasitetin e luftimit të dukurive kundërligjore.