KOMUNIKATË PËR MEDIA – Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit mes ATK-së dhe Zyrës së të Hyrave Publike të Maqedonisë

Administrata Tatimore e Kosovës dhe Zyra e të Hyrave Publike e Maqedonisë kanë nënshkruar sot Memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim shkëmbimin e përvojave, transferimin e njohurive dhe praktikave më të mira, përmirësimin e performancës së palëve, stimulimin e përmbushjes vullnetare tatimore, si dhe parandalimin, zbulimin dhe luftimin e evazionit tatimor në të dyja vendet.

Dy institucionet përmes arritjes së Memorandumit shpresojnë në promovimin e metodave të avancuara për mbledhjen e tatimeve, nëpërmjet transferimit të njohurive dhe përvojës në zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve në fushat me interes të përbashkët,  dhe konfirmojnë vendosmërinë në respektimin e legjislacionit të të dyja palëve, në fushat e bashkëpunimit brenda fushëveprimit të kompetencave të institucioneve.

Drejtoreshën e Zyrës së të Hyrave Publike të Maqedonisë Sanja Lukarevska, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit tha se do të punojmë për ngritjen e kapaciteteve në luftimin e ekonomisë jo-formale,  si dhe shkëmbimin e përvojave të tjera mes dy institucioneve.

E nga ana tjetër, drejtori i ATK-së Sakip Imeri theksoj se sot për dy institucionet është një ngjarje me rëndësi për të ardhmen, do të nënshkruhet një memorandum i bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve që do të jetë në funksion të fuqizimit edhe më të madh të kapaciteteve humane në ngritjen e përmbushjes tatimore.

Administrata Tatimore e Kosovës dhe Zyra e të Hyrave Publike te Maqedonisë kanë një bashkëpunim të mirë,  të vendosur  në të kaluarën dhe kultivimin e saj ne vazhdimësi. Bazë e këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave të mira në fushën e tatimeve,  përfshirë këtu edhe objektivat që dalin nga integrimi në BE.

Kosova me Maqedoninë ka Marrëveshje për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë në të Ardhura dhe Kapital si dhe luftimin e evazionit dhe shmangies tatimore, e cila ka shërbye në fushën e shkëmbimit të informatave tatimore me qëllim të luftimit të evazionit dhe shmangies tatimore.