KOMUNIKATË PËR MEDIA – Prezantohen rezultatet e anketës me tatimpagues për vitin 2019

Administrata Tatimore e Kosovës sot përmes një konference virtuale ka prezantuar rezultatet e anketës me tatimpaguesit e Kosovës për vitin 2019, lidhur me vlerësimet e tatimpaguesve për punën dhe shërbimet e ofruar nga ATK.

Në këtë video konferencë të pranishëm ishin Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi dhe Ambasadori i Ambasadës se Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt.

Në hapje të kësaj konference Drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj tha se kjo anketë, ka për qëllim që t’i identifikojë fushat për përmirësim, në mënyrë që pastaj bazuar në të gjeturat e kësaj ankete ne do t’i orientojmë aktivitetet tona në mënyrë që tatimpaguesit t’i realizojnë të drejtat e tyre që u takojnë me ligj, dhe nuk do të lejojmë që ato të drejta të cenohen në çfarëdo forme. Gjithashtu, ne besojmë se ju tatimpagues të nderuar, në vazhdimësi do t’i bashkoheni ATK-së duke dhënë kontributin tuaj për tu siguruar se trajtimi nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës është i drejtë dhe ligjor dhe se secili është duke paguar pjesën e vet të drejtë.

Tutje drejtori Murtezaj,  shtoj se ATK do të bëjë punën e saj duke u mbështetur në vlerat tona të cilat janë: profesionalizmi, integriteti dhe ndershmëria, efikasiteti, përsosmëria e shërbimeve dhe transparenca. Ne besojmë se këto vlera na orientojnë tek mënyra se si i trajtojmë tatimpaguesit dhe partnerët e ndryshëm, me të cilët punojmë. Përmes respektimit të këtyre vlerave do të arrijmë rezultatet e një administrate transparente dhe efikase.

E nga ana tjetër,  Ambasadori i Ambasadës Gjermane në Kosovës Christian Heldt, tha se posaçërisht në kohën e krizës dhe vështirësive, përforcimi i besimit të publikut në institucionet publike dhe veprimi në solidaritet për anëtarët më të ndjeshëm të shoqërisë janë kyçe me qëllim të tejkalimit të sfidave ekzistuese. Prandaj, mbledhja efiçiente dhe transparente si dhe menaxhimi i fondeve publike me siguri se janë më të rëndësishme në këtë kohë. Anketa me tatimpagues, e cila është prezantuar sot, është një kontribut i madh lidhur me atë se ka qëllim përmirësimin e mëtejshëm të orientimit të shërbimeve të Administratës Tatimore (ATK) drejt tatimpaguesve – një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në përforcimin e mobilizimit të të hyrave vendore në Kosovë. Jam krenar të them se Qeveria Gjermane ka përkrahë ATK në realizimin e këtij studimi shumë të rëndësishëm përmes projektit për Qeverisje të Mirë Financiare, zbatuar nga GIZ dhe presim me padurim vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Për rezultatet e kësaj ankete foli edhe Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, i cili tha se Administrata Tatimore e Kosovës në vazhdimësi është duke punuar që të ofroj sa më shumë lehtësira tatimpaguesve në përmbushjen e obligimeve tatimore. Ministri Bislimi tha se ATK ka përparuar shumë në ndërtimin e një infrastrukturë,  e cila lehtëson dhe ndihmon tatimpaguesit, në të njëjtën kohë ndan edhe informacione, të cilat lidhen me ta. Ai po ashtu, potencoi se bashkërisht do të punojmë në rritjen e besimit të tatimpaguesve ndaj ATK-së.

Rezultatet e kësaj ankete në masë të madhe prezantojnë nivelin e përmirësimit të punës së ATK-së në shumë fusha, ajo çka më së shumët kanë vlerësuar tatimpaguesit në këtë anketë është informimi i rregullt i tatimpaguesve, qasja e lehtë në të dhëna, ofrimi i shërbimeve në kohë për kryerjen e obligimeve qe kanë ndaj ATK-së, ngritja profesionale e inspektorëve të ATK-së, përmirësimi i integritetit te institucionit te ATK-së, etj.

Anketa me tatimpaguesit e Kosovës  është zhvilluar në vitin 2015, 2017, si dhe tani në 2019  falë partneritetit të ngushtë që ATK ka me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH (Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar) e cila zbaton projektin në emër të Qeverisë Gjermane.