KOMUNIKATË PËR MEDIA – Qendra e Thirrjeve 6 vite punë të suksesshme

Publikuar më November 2, 2017 08:28

Qendra e Thirrjeve në Administratën Tatimore të Kosovës sot shënoi 6 vjetorin e themelimit të saj. Gjatë këtyre 6 viteve, Qendra e Thirrjeve ka kontaktuar dhe ka komunikuar me tatimpaguesit, gjithashtu ka krijuar dhe përdorur  metoda të përshtatshme dhe me kosto efektive.

Kjo qendër përveç që ka iniciuar thirrjet për tatimpaguesit, të cilët nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre tatimore,  gjithashtu ka siguruar mundësinë për tatimpaguesit që të kontaktojnë Qendrën e Thirrjeve, për të marr informata dhe asistence në një listë të gjerë të çështjeve tatimore.

Qendra e Thirrjeve me aktivitetet e realizuara ka dhënë  kontribut të rëndësishëm  në edukimin e tatimpaguesve, që të përmbushin obligimet e tyre në mënyrë vullnetare, në uljen e numrit të mos deklaruesve dhe ndalim deklaruesve, në rregullimin e deklaratave dhe pagesave të pa procesuara, në informimin e tatimpaguesve për  mundësinë e përfitimit  nga Ligji për Faljen e Borxheve, si dhe në përgjithësi ka kontribuar në rritjen e të hyrave të ATK.

Në varësi të kompleksitetit të pyetjeve te parashtruara nga qytetarët dhe tatimpaguesit, asistenca është ofruar drejtpërsëdrejti nga zyrtarët në Qendrën e Thirrjeve  ose linja është transferuar  tek zyrtaret përgjegjës të Administratës Tatimore.

Aktivitetet e qendrës janë shtuar nga viti në vit, gjithashtu rritje ka pasur edhe në rezultatet e të gjitha aktiviteteve. Nëse krahasojmë periudhën  Janar-Tetor të vitit 2016 me periudhën e njëjtë të këtij viti, Qendra e Thirrjeve ka pasur rritje të rezultateve për secilin aktivitet që ka zhvilluar.

Nga muaji Nëntor i vitit 2011 deri në Tetor të këtij viti, Qendra e Thirrjeve me sukses ka realizuar 204, 803 thirrje, numri i thirrjeve të pranuara nga tatimpaguesit 25, 301. Ndërsa, vlera e pagesave si rezultat i thirrjeve është 10, 649, 149 euro.

ATK, vazhdimisht është duke zhvilluar aktivitete për të ngritur transparencën në shërbimet ndaj tatimpagueseve, të cilët do të kenë më të lehtë informimin dhe kryerjen e obligimeve në mënyrë vullnetare.