KOMUNIKATË PËR MEDIA – Rritet besimi i qytetarëve ndaj ATK-së

Publikuar më October 23, 2017 14:22

Rritet bashkëpunimi mes qytetarëve dhe Administratës Tatimore të Kosovës, duke raportuar parregullsitë tatimore, evazionin fiskal, rastet korruptive, si dhe dukurit tjera negative që ndërlidhen me sistemin tatimor në Kosovë.

ATK në mënyrë që të jetë më e suksesshme në luftimin e këtyre dukurive, ka të instaluar linjën pa pagesë 0800 80 800, si dhe kutit e vërejtjeve të cilat janë të vendosura në të gjitha zyrat regjionale të ATK-së, përmes së cilës qytetarët mund të lajmërojnë për çdo parregullsi tatimore.

Qytetarët në vazhdimësi janë duke reflektuar besim ndaj ATK-së, duke bashkëpunuar në mënyrë që të kapen rastet të cilat krijojnë shmangie tatimore, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës nga ana e zyrtarëve të ATK-së.

Vetëm gjatë periudhës Janar-Shtator të këtij viti, përmes linjës online janë 282 raste të cilat i janë përcjellë operativës për verifikim, ku si rezultat i të gjeturave në teren janë lëshuar 117 gjoba,  në vlerë prej 124,618 euro. Ndërsa, rastet e lajmëruara përmes kutive të vërejtjeve për periudhën e njëjtë shkojnë deri në 215, e që nga parregullsitë tatimore të konstatuara janë lëshuar 147 gjoba, në vlerë prej 56,700.00 euro. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016, kemi rritje të raportimeve përmes këtyre dy mundësive për  rreth 10%.

Sigurisht, një bashkëpunim si ky ka dhënë efektet e tij edhe në rritjen e të hyrave, rritjen e numrit të bizneseve të fiskalizuara, hetimin e disa bizneseve të cilat dyshohen për shmangie tatimore, monitorimin më efikas të veprimtarive të lojërave të fatit, ku ka pasur mbyllje të shumë subjekteve të lojërave të fatit etj.

Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit. Për këtë qëllim ftojmë qytetarët që të gjitha informatat e korrupsionit dhe evazionin fiskal në lidhje me ATK-në, t’i raportojnë në linjën pa pagesë 0800-80-800, (burimi i informatave çdoherë do të jetë konfidencial) ashtu që së bashku të ndërtojmë institucionet tona.

Njëherit, falënderojmë të gjithë qytetaret për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme!