KOMUNIKATË PËR MEDIA – Takim me përfaqësuesit e bizneseve të derivateve

Publikuar më October 29, 2014 07:50

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur sot një takim me bizneset e mëdha që merren me tregtimin e karburanteve. Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Naftëtarëve.
Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi i të pranishmëve me ecurinë e përgjithshme të procesit të fiskalizimit, me theks të veçantë fiskalizimi i bizneseve që tregtojnë karburante.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për të arriturat e ATK-së për këtë vit, si dhe përgatitjet për lansimin e dy projekteve, siç janë Caktimi Automatik i Kontrolleve dhe Inspektorëve-CAKI dhe Fatura Elektronike e TVSh-së, të cilat do të jenë indikator mjaftë të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve transparente për gjithë tatimpaguesit dhe trajtimit te barabartë.

Ndër të tjera,  zyrtarë nga Administrata Tatimore nënvizuan se ATK mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive  që dalin nga legjislacioni tatimor, kërkesa këto të përcaktuara me ligj për të regjistruar transaksionet përmes pajisjeve elektronike fiskale dhe të lëshimit te kuponëve fiskal, me rastin e shitjes së   mallrave  dhe shërbimeve,  në mënyrë që të mos bëhen objekt i masave ndëshkuese, të parapara me Ligjin mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat. Kjo përmirëson aftësinë e Administratës Tatimore, për t’u siguruar që të gjithë tatimpaguesit përmbushin obligimet e tyre tatimore dhe raportojnë me saktësi  të ardhurat e tyre.

Administrata Tatimore ka obligim dhe detyrë të vendosur me ligj, që të sigurojë zbatim të njëtrajtshëm të dispozitave ligjore për të gjithë tatimpaguesit, në mënyrë të njëjtë për situata të njëjta.