KOMUNIKATË PËR MEDIA – Takimi i radhës me palët e interesit

Publikuar më December 14, 2017 15:36

Administrata Tatimore e Kosovës me qëllim të adresimit të kërkesave dhe shqetësimeve të komunitetit të bizneseve, ka mbajtur sot takimin e rregullt me palët e interesit.

Qëllimi i këtij takimi ishte që përfaqësuesit e bizneseve të njoftohen për së afërmi me të arriturat e deritanishme, me theks të veçantë digjitalizimin e shërbimeve ndaj tatimpagueseve, gjatë periudhës Janar-Nëntor 2017.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri ju dëshiroj mirëseardhje për përfaqësuesit e bizneseve dhe institucioneve, duke theksuar se takimet e këtij niveli janë të një rëndësie të veçantë, pasi që përmes diskutimit të përbashkët mund të arrijmë t’i kuptojmë nevojat dhe kërkesat e tatimpaguesve. “Ne çdoherë do të kemi në plan të parë tatimpaguesin, ofrimin e shërbimeve kualitative në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë përmbushjen e obligimeve tatimore, ku deri më tani konsiderojmë se kemi punuar me të gjitha kapacitetet në ofrimin e një infrastrukture në përkrahje të përmbushjes tatimore, si dhe shumë projekte tjera të cilat kanë ndikuar në rritjen e nivelit të të hyrave, në mënyrë vullnetare nga ana e tatimpaguesve. Ashtu siç jeni të informuar, ne edhe gjatë këtij viti jem angazhuar që të reformojmë shërbimet ndaj tatimpaguesve, ku në këtë segment kemi digjitalizuar regjistrimin on-line për TVSh, (rregullorja e brendshme, e cila bën kategorizimin e bizneseve për tu rimbursuar në afat më të shkurt), numrin unik të regjistrimit të bizneseve, vërtetimin on-line për bizneset, parashtrimin e kërkesës për rimbursim on-line”.

Po ashtu, z. Imeri gjatë takimit prezantoj ndër shumë pika të tjera edhe lirimet nga TVSH-ja në importimin e lëndës së parë dhe pajisjet e teknologjisë informative. Për periudhën raportuese janë trajtuar 241 kërkesa,  prej tyre janë aprovuar 234.

Ndërsa, gjatë takimit pjesëmarrësit-palët e interesit, kanë diskutuar çështje me interes të cilat i preokupojnë bizneset në Kosovës. Njëherit, u  shprehen të gatshëm për bashkëpunim dhe mbështetje në të gjitha projektet të cilat ATK planifikon t’i implementon. Ata po ashtu, theksuan se ngritja e kapaciteteve vepruese, rritja e shërbimeve kualitative ndaj tatimpaguesve, avancimi i sistemit të fiskalizimit dhe bashkëpunimi me institucionet tjera, janë duke treguar trende pozitive.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin zv.Ministri i Tregtisë dhe Industrisë-Faton Thaqi,  përfaqësues nga Zyra Kombëtarë e Auditimit, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, Trusti Pensional, Oda Ekonomike Amerikane, Aleanca Kosovare e Bizneseve, Oda Ekonomike Turke, Oda e Afaristëve të Kosovës, Shoqata e Mullisëve të Kosovës.

ATK i falënderon të gjithë tatimpaguesit të cilët i kryejnë me kohë obligimet tatimore dhe njëkohësisht inkurajon tatimpaguesit që t’i deklarojnë dhe paguajnë tatimet që janë të përcaktuara me ligj.