KOMUNIKATË PËR MEDIA – Takimi virtual i CEF me shtetet e rajonit

Zëvendësues, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ekrem Hysenaj, me ftesë nga Center of Excellence in Finance (CEF) me seli në Lubjanë të Sllovenisë, së bashku me përfaqësues nga Holanda dhe FMN kanë qenë pjesë e panelit në cilësinë e ekspertëve në fushën e përmbushjes së tatimeve. Në takimin virtual të organizuar me shumë shtete të rajonit,  ku temë diskutimi ishte menaxhimi i rreziqeve të përmbushjes pas pandemisë COVID-19 dhe eksperiencat e vendeve të ndryshme, në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia dhe zhvillimi tutje i aktiviteteve të parapara.

Gjatë diskutimeve drejtori Hysenaj para përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse në këtë takim foli edhe për mënyrën se si është menaxhuar me institucionin e ATK-së në periudhën kritike të pandemisë, si dhe strategjitë të cilat janë implementuar në tejkalimin e kësaj situate, e cila padyshim kishte indikacion të drejtpërdrejtë në performancën e inkasimit të të hyrave, trajtimit të borxheve dhe shumë çështje tjera tatimore. Po ashtu, z. Hysenaj foli edhe për nxitjet në procesin e përmbushjes përmes pakove subvencionuese të Qeverisë dhe përmes implementimit të Ligjit Nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike COVID-19, si dhe fillimin e zhvillimit të aktiviteteve në terren bazuar në risk, siç janë planifikimi dhe zbatimi i projekteve të përmbushjes në ndërtimtari, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, punësimi joformal, etj.

Shtetet pjesëmarrëse në këtë takim ishin Shqipëria, Armenia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Rumania, Serbia dhe Moldavia.

Takimet virtuale me CEF do të zhvillohen deri me datë 26 shkurt 2021, në të cilat është paraparë që të diskutohet për pikat e lartcekura.