KOMUNIKATË PËR MEDIA – Tatimpaguesit e kënaqur me shërbimet e ATK-së

Publikuar më October 29, 2015 14:14

DSC_0034Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, sot kanë mbajtur një takim të përbashkët, në të cilin janë prezantuar rezultatet e anketës me tatimpagues për vitin 2015 lidhur me shërbimet e ATK-së, si dhe prezantimi i punës së Zyrës për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative (ZGjoNa)  si dhe bashkëpunimi mes ATK-së dhe GIZ-së, dhe sfidat në të ardhmen.

Në këtë takim ku përveç nikoqirëve pjesëmarrës ishin Ministri i Financave, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve tjera, përfaqësues të Odave Ekonomike në Kosovë, si dhe pjesëmarrës të tjerë, janë prezantuar rezultatet pozitive të kënaqshmërisë së tatimpaguesve, si dhe bashkëpunimi mjaft i frytshëm mes Administratës Tatimore dhe GIZ, në një sërë projektesh.

Ministri i Financave z.Avdullah Hoti shprehu mirënjohje ndaj GIZ-së për mbështetjen e vazhdueshme që kanë ofruar për Administratën tatimore dhe Ministrinë e Fianacave në përgjithësi. Sot Administrata Tatimore e Kosovës ka ndërtuar një sistem vet funksionues falë mbështetjes së miqve tanë ndërkombëtarë tha ministri Hoti. Gjithashtu vlen të përmendet se ATK në këtë nëntëmujor ka shënuar rritje të të hyrave prej 11.1% më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ministri Hoti inkurajoi Administratën Tatimore dhe GIZ-in të vazhdojnë me bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

U.d. Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, z. Nahit Sharku tha se sukseset e arritura të Administratës DSC_0050Tatimore janë falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me organizata ndërkombëtare. Ai falënderoi GIZ-në për hulumtimin e realizuar me tatimpagues, përmes së cilit janë dhënë vlerësime pozitive për punën dhe shërbimet e ofruara nga Administrata Tatimore e Kosovës. Ai potencoi se përshtypjet e tatimpaguesve mund të shërbejnë si udhëzime kyçe në mënyrë që puna jonë të jetë më transparente, më efikase, më korrekte dhe më e përqendruar në ofrimin e shërbimeve gjatë viteve të ardhshme. Kjo është arsyeja që unë i mirëpres gjetjet e hulumtimit me tatimpagues 2015.  Informatat pozitive që i kemi marrë na inkurajojnë ne që të adresojmë ato çështje ku nevojitet përmirësim i mëtutjeshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së GIZ-së në Kosovë, z.James Macbeth  përgëzoi Administratën Tatimore të Kosovës dhe projektin “Reforma e Sistemeve të Financave  Publike në Kosovë”  për punën e përbashkët në anketimin e  tatimpaguesve për 2015.  Ai tha se vetë fakti i një anketimi me tatimpaguesit sinjalizon se ATK është përcaktuar që më tutje të ndjek agjendën e tanishme të reformave, duke u zhvilluar në një administratë tatimore moderne dhe dëshiron të arrijë standarde të larta, me transparencë, efikasitet dhe paanshmëri.

Në anketën e realizuar nga GIZ me tatimpaguesit perceptimet e tatimpaguesve për Administratën tatimore lidhur me transparencën, efikasitetin, drejtësinë dhe të ofrimin e shërbimeve në formë elektronike kanë qenë mjaft pozitive.

Në këtë takim është prezantuar para të pranishmëve edhe puna e Zyrës për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative, projekt ky i cili është mbështetur nga GIZ. Roli i ZGjoNA-së është ndarja e inspektimeve ( vizitave dhe kontrollit) nga shqiptimi i gjobave dhe ndëshkimeve administrative. Fillimisht ky projekt ka filluar me regjionet Prishtina 1 dhe 3, dhe pas suksesit të treguar në këto dy regjione, pilot projekti është zgjeruar edhe në të gjitha regjionet.