KOMUNIKATË PËR MEDIA – ZGJONA, në funksion të transparencës dhe një sistemi modern tatimor

Publikuar më October 27, 2017 20:16

Administrata Tatimore e Kosovës ndër prioritetet kryesore ka përmirësimin e proceseve kyçe tatimore, përmes implementimit të shumë projekteve të cilat inkurajojnë përmbushjen e obligimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, në funksion të një sistemi modern tatimor dhe në funksion të lehtësirave të arritjes së objektivave të përgjithshme. E një ndër ta është edhe  projekti i Zyrës për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative, i cili mbulon dispozitat ligjore që lidhen me gjobat dhe ndëshkimet për shkeljet, parregullsitë dhe kundërvajtjet në fushën e tatimeve duke siguruar njëtrajtshmëri, saktësi dhe shpejtësi në shqyrtimin e rasteve në drejtim të përmbushjes vullnetare.

Gjithashtu, brenda funksionit të ZGJONA-së do të përfshihen edhe veprat penale në fushën e tatimeve, kur kjo të hyjë në zbatim me aktet përkatëse ligjore. Por, nuk përfshinë ato gjoba dhe ndëshkime që lidhen me funksionin e mbledhjes së detyrueshme. Njëherësh, do të ketë parasysh lehtësimet nga ndëshkimet aty ku parashohin dispozitat ligjore.

Qëllimi kryesor i aktiviteteve të ZGJONA-së, është ngritja e aftësive shërbyese për tatimpaguesit përmes një administrate moderne, duke mundësuar specializimin në fushën e gjobave e ndëshkimeve dhe specializimin në fushën e veprave penale tatimore, si dhe lehtësimin e kontrolleve dhe vizitave.

ATK është duke përmbushur vizionin e saj, në mënyrë që të ketë besueshmëri dhe respekt, si dhe të arrij të jetë e krahasueshme me administratat tatimore moderne,  të vendeve të zhvilluara!