Komunikatë për shtyp – Viti 2010, vit i ngritjes së kapaciteteve dhe shërbimeve ndaj tatimpaguesve

Publikuar më February 3, 2011 13:24

ATK tejkalon parashikimet – grumbullon 221.6 mil €

(Prishtinë, 3 Shkurt 2010) –  Me qëllim të informimit të opinionit publik dhe të sigurimit të një transparence maksimale ndaj tatimpaguesve, Administrata Tatimore e Kosovës mbajti sot konferencën e radhës për gazetarë, ku Drejtori i Përgjithshëm z. Behxhet Haliti prezantoi Raportin Vjetor të vitit 2010.

Në bazë të këtij raporti, viti 2010 ka qenë një vazhdimësi e punës së stafit të ATK-së për të përmirësuar dhe ngritur kapacitetet dhe shërbimet ndaj tatimpaguesve: “Pas modifikimeve dhe   ndryshimeve në legjislacionin tatimor për t’i plotësuar standardet ndërkombëtare; kemi bërë modernizimin e sistemit për përpunimin e të dhënave; është krijuar pozita e Avokatit të Tatimpaguesit – për t’u dhënë hapësirë shqetësimeve dhe çështjeve të cilat tatimpaguesit nuk kanë mundësi t’i zgjidhin përmes kanaleve normale brenda ATK-së si dhe kemi lansuar linjën e bashkëpunimit pa pagesë me qytetar për lajmërimin e rasteve të evazionit tatimor, korrupsionit apo sjelljeve jo të mira nga stafi i ATK-së 0800/ 501 501”  – theksoi ndër të tjerat z. Haliti.

            Gjithashtu, ky vit ka përfshirë edhe aktivitete të tjera siç janë:  52 466 vizita përmbushëse, 29 712 vizita vëzhguese, lëshimin e mbi 61 mijë Numrave Fiskal, mbi 1606 vizita të aktiviteteve të lojërave të fatit, bashkëpunime të shumta me Policinë e Kosovës dhe Doganat, seminare e trajnime të ndryshme, 61 kallëzime penale e shumë aktivitete të tjera ,  ku si rezultat i gjithë kësaj pune janë tejkaluar edhe parashikimet për të hyrat, duke mbledhur kështu 221.6 milion Euro nga Tatimet dhe 73.1 milion Euro nga Kontributet Pensionale.

            Veç kësaj, Drejtori i ATK-së përmendi edhe sfidat që i  presin këta të fundit gjatë vitit 2011, duke theksuar realizimin e planit të të hyrave për vitin 2011, implementimin e projektit të arkave fiskale, funksionalizimin e deklarimit online, funksionalizimin e njësisë për menaxhim të rrezikut, identifikimin e saktë dhe azhurnimin e regjistrit të tatimpaguesve si dhe kushtet e punës. Ai përmbylli konferencën duke shtuar se sistemi  tatimor do të jetë më i efektshëm kur secili do të jetë pjesë e tij dhe do të kontribuoj me pjesën e detyrimit te tij. Në fund  z. Haliti i  falënderoi tatimpaguesit për kryerjen e obligimeve tatimore dhe kontributin e dhënë në zhvillimin ekonomik të Kosovës!

Administrata Tatimore e Kosovës