Kryeministri Mustafa vizitoi Zyrën Regjionale të ATK-së në Prizren dhe vendkalimin doganor në Vermicë

Publikuar më January 30, 2015 22:20

01Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka vizituar të premten Zyrën Regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në Prizren si dhe vendkalimin doganor në Vermicë.

Gjatë vizitave, kryeministri Mustafa u takua me drejtuesit dhe punëtorët e këtyre dy institucioneve.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se ka bashkëbiseduar me drejtuesit e ATK-së dhe të Doganave lidhur me organizimin më të mirë, në këto dy fusha dhe shtylla tepër të rëndësishme për Kosovën, duke vlerësuar faktin se nga këto dy struktura të organizuara, sigurohet gati 90 për qind e Buxhetit dhe mbulohen shpenzimet buxhetore për këtë vit.

“Ne do të përkrahim reformat e mëtutjeshme edhe të Administratës Tatimore edhe të Doganave, në mënyrë që të arrijmë ta zvogëlojmë evazionin fiskal, të bëjmë një shtrirje më të gjerë të politikave tatimore dhe të doganave. Vlerësojmë se personeli që punon në këto dy fusha është i përgatitur mirë, është i organizuar mirë, është rrit përgjegjësia. Tek doganat veçmas kemi një trend pozitiv nga viti në vit të grumbullimit të të hyrave në kufi. Mbetet që në vazhdën e mëtutjeshme të ndërtimit të politikave fiskale, të bëjmë zhvendosjen e grumbullimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga kufiri brenda, mirëpo gjithmonë krahas një organizimi qoftë të përbashkët të ATK-së dhe doganave, qoftë një organizimi që ne vlerësojmë se është më i mirë për të përballuar këto çështje që janë me rëndësi jetike”, deklaroi Kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu tha se në pikëpamje të reformave fiskale që janë premtuar, do të punohet me Ministrinë e ???????????????????????????????Financave tek shkallëzimi i TVSH-së i cili do të mundësonte në rend të parë që paguesit e TVSH-së të paguajnë në mënyrë të klasifikuar qoftë për produktet elementare dhe produktet tjera dhe se shkallët e ndryshme të TVSH-së, do të mundësonin që bizneset të ngarkohen në mënyrë më të lehtësuar.

“Do  të punojmë poashtu në lirimin e bizneseve të reja nga tatimi në të ardhurat e korporatave, përkatësisht nga tatimi në fitim për vitet e para, varësisht nga numri i punonjësve që ata i pranojnë, dhe varësisht nga shuma e investimeve që bëjnë, sepse jemi të interesuar që të stimulojmë bizneset që ata mos të paguajnë tatime në vitet e para”, tha Kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave do të krijohen politikat e subvencionimeve, të cilat kryesisht do të drejtohen nga prodhuesit dhe kah produktet dhe jo kah pronarët, për ta nxitur prodhimin bujqësor, dhe për ta përmirësuar bilancin me jashtë.

“Ne mendojmë se ajo që është tani në procedurë të reformave në Ministrinë e Financave, do të mundësoj që ne të kemi një gjendje më të mirë dhe do të nxisim biznesin, sidomos biznesin e vogël dhe të mesëm dhe prodhimtarinë bujqësore në vendin tonë”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, theksoi se kjo vizitë kishte për qëllim inkurajimin dhe mbështetjen e stafit të Doganave dhe të ATK-së, si dy institucione të rëndësishme. “Me punën që po bëjnë është ndërtuar një strukturë e mirë organizative e të dyja këtyre organizatave. Tani duhet të shkojmë më tutje në rritjen e të hyrave, jo duke ju rënë në qafë bizneseve, por duke krijuar kushte sa më të mira që të rritet biznesi dhe përmes kësaj ne të rrisim të hyrat buxhetore”, theksoi ministri Hoti.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se vizita e kryeministrit i ka nderuar dhe motivuar punonjësit e Doganave. “Pata kënaqësinë që ta informoj kryeministrin me progresin që kemi bërë në Doganë me reformën e filluar. Po ashtu pata kënaqësinë që ta informoj kryeministrin edhe me të arriturat edhe në mbledhjen e detyrimeve importuese doganore. Tani muajin janar po e mbyllim me 12% më shumë se sa në muajin janar të vitit të kaluar”, tha Rafuna.

Ai poashtu e njoftoi Kryeministrin edhe me sfidat gjatë vitit 2015. “Unë e falënderoj shumë Kryeministrin për mbështetjen që na ka ofruar dhe që do të na ofron për tërë vitin për të na mbështetur në mënyrë që ne t’ia realizojmë objeksionet e parapara me ligjin për buxhetin për vitin 2015”, tha drejtori i Doganave.