Ministri Hoti vizitoi Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës

Publikuar më December 2, 2015 15:19

mf-02.12.2015 -MF02Ministri i Financave Avdullah Hoti vizitoi sot Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Ai gjatë kësaj vizite ju ofroi mbështetje në  realizimin e  objektivave të këtyre dy organizmave shtetërorë kyç në grumbullimin e buxhetit të Kosovës si dhe në bashkimin e këtyre dyjave në një agjenci të të hyrave të Kosovës.

Ministri Hoti gjatë takimit me stafin udhëheqës të ATK-së dhe Doganës shtoi se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për integrimin e këtyre dy organizatave në një Agjencie të vetme për mbledhjen e të hyrave tatimore.  Shpresojmë se grupi punues së shpejti do të na ofroj një plan të detajuar për këtë çështje dhe mendoj se unifikimi i ATK-së dhe Doganës do të sjellë një kualitet edhe më të lartë në ofrimin e shërbimeve tatimore dhe doganore. Fillimisht do të shkojmë me bashkimin e departamenteve me shërbime të njëjta, duke vazhduar në bashkimin e plotë në një agjenci.

Gjithashtu, Ministri Hoti i siguroj  zyrtarët e këtyre organizatave se nuk do të ketë ndryshim të pagave dhe  vendeve të punës , përkundrazi  ky bashkim do të jetë në të mirë të të gjithëve.

Ndërsa, drejtori i Doganës Lulzim Rafuna dhe drejtori i ATK-së Nahit Sharku, e njoftuan Ministrin Hoti për ecurinë dhe punën e Komisionit si dhe shprehën gatishmërinë e tyre dhe të stafit të tyre  në përafrimin e qëndrimeve të integrimit të ATK-së dhe Doganës në një agjenci të të hyrave.