Njoftim për tatimpagues – Mundësohet edhe kompensimi për të Vetëpunësuarit, Pagat dhe Qiratë e paguara

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se ka zhvilluar Sistemin Elektronik EDI për të mundësuar edhe parashtrimin e kërkesave për të përfituar nga Pakoja Fiskale Emergjente, si:

  • Të vetëpunësuarit,
  • Punëdhënësit, të cilët i kanë paguar pagat e punëtorëve për periudhën Mars/2020, dhe
  • Qiramarrësit, të cilët i kanë paguar qiratë.

Të vetëpunësuarit do të mund të aplikojnë përmes aplikacionit dhe formularit të njëjtë sipas udhëzimeve të prezantuara në Udhëzuesin për kompensimin e pagave të  punëtorëve, të cilin tani e gjeni të rifreskuar dhe të publikuar në ueb-faqe të ATK-së. Për të përfituar edhe i vetë-punësuari nga pako emergjente fiskale, duhet të jetë i evidentuar në Excel listën e njëjtë, gjegjësisht në Excel fajllin për të punësuarit. Në këtë listë i vetëpunësuari duhet të jetë i evidentuar në statusin “A”, dhe evidentimin e vlerës 170€. Duhet të keni parasysh që para se të aplikoni për këtë masë, i vetëpunësuari duhet të ketë të deklaruar për periudhën TM1 2020.

Punëdhënësit, të cilët kanë bërë pagesën e pagës së plotë mujore të punëtorit për periudhën mars/2020, kanë të drejtë kompensimi të shumës që i dedikohet atij punëtori, në bazë të masës 3a, 8 dhe 14. Për t’u bërë kompensimi, punëdhënësi duhet të ofrojë dëshmitë se me të vërtetë janë bërë pagesat e pagave paraprakisht. Llojet e dëshmive që duhet të paraqiten dhe vendi i ngarkimit të dëshmive është sqaruar në faqen 10 të Udhëzuesit për kompensimin e pagave. Po ashtu, duhet të keni parasysh që kur të parashtrohet kërkesa, në fushën ku arsyetoni ndikimin e vendimeve të Qeverisë në biznesin tuaj, në krye shkruani “KOMPENSIM PUNËDHËNËSIT”.

Qiramarrësit, të cilët kanë bërë pagesën e qirave, kanë të drejtë kompensimi të shumës që i dedikohet qiradhënësit, në bazë të masës 3b. Për t’u bërë kompensimi, qiramarrësi duhet të ofrojë dëshmitë se me të vërtetë janë bërë pagesat e qirave paraprakisht. Llojet e dëshmive që duhet të paraqiten dhe vendi i ngarkimit të dëshmive është sqaruar në faqen 10 të Udhëzuesit për kompensimin e qirasë. Po ashtu, duhet të keni parasysh që kur të parashtrohet kërkesa, në fushën ku arsyetoni ndikimin e vendimeve të Qeverisë në biznesin tuaj, në krye shkruani “KOMPENSIM QIRAMARRËSIT”.

Udhëzuesit për kompensim të pagave të punëtorëve dhe kompensim të qirasë, i gjeni në ueb-faqe të ATK-së www.atk-ks.org në linkun Multimedia – Manuale & Prezantime:

Linku për udhëzuesin për kompensim të pagave të punëtorëve dhe

Linku për udhëzuesin për kompensim të qirasë

ATK, çdo herë e gatshme në ofrimin e shërbimit për tatimpagues!

Administrata Tatimore e Kosovës