Nënshkruhet marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë

Publikuar më April 7, 2011 08:48

(Prishtinë, 6 Prill 2011) Sot në Ministrinë e Finanancave, Ministri Bedri Hamza dhe homologu i tij maqedonas Ministri Zoran Stavreski, kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë .

Pas ceremonisë së nënshkrimit Ministri Bedri Hamza, duke falënderuar zëvendëskryeministër Stavreski për angazhimin e tij për të shpejtuar procesin e lidhjes së kësaj marrëveshje dhe për një bashkëpunim të shkëlqyeshëm ndërmjet të dy vendeve, tha se “Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje neve kemi për objektivë të ndihmojmë tregtinë ndërkufitare dhe investimet duke shmangur tatimin e dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, por duke shmangur edhe diskriminimin ndërmjet personave tëhuaj dhe vendor qofshin persona juridik apo fizik. Të gjitha këto masa shkojnë në drejtim të krijimit të një ambienti miqësor për investime të huaja por paralel edhe duke mbrojtur të hyrat bazë të Qeverive”, tha ministri Hamza.

Nga ana tjetër zëvendëskryeministri dhe Ministri i Financave të Republikës së Maqedonisë, Zoran Stavreski, ka thënë se “Maqedonia dhe Kosova janë jo vetëm dy fqinj por janë edhe dy vende miqësore dhe miqësitë duhet të ndërtohen nëpërmjet afrimit afarist të dy vendeve, nëpërmjet hapjes së mundësive të reja për zhvillimin e biznesit dhe pikërisht mundësi të këtilla të reja do të hapen me nënshkrimin e kësaj marrëveshje me të cilën bizneset rezidente të dy shteteve të mos paguajnë dy herë tatim.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje është mbajtur edhe një takim bilateral ndërmjet dy shteteve ku pjesëmarrës në këtë takim përveç dy Ministrave të Financave të të dyja vendeve, të pranishëm ishin edhe Zëvendësministri i Financave të Republikës së Maqedonisë, Nedim Ramizi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Skender Durmishi, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Stojan Karajanov, Drejtori i Doganave të Republikës së Kosovës, Naim Huruglica, Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, Drejtori i Drejtorisë së Doganave të Republikës së Maqedonisë, Vančo Kargov , Drejtori i Administratës Tatimore të Republikës së Maqedonisë, Goran Trajkovski dhe gjithashtu këshilltarët nga kabineti i Ministrit të Financave Bedri Hamza dhe të homologut të tij Stavreski.