Nga data 01 Prill 2016, plikot me Kuponë Fiskal dorëzohen në Postën e Kosovës

Publikuar më April 4, 2016 08:31

Të nderuar qytetarë,

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se nga data 1 Prill 2016, dorëzimi i plikove me  Kuponë Fiskal do të bëhet në cilëndo pikë të Postës së Kosovës. Pra, ka ndryshuar vetëm vendi i dorëzimit të plikos, ndërsa procedurat tjera mbesin të njëjta.

Fillimisht, obligoheni që të plotësoni aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal. Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org, në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal.

Vetëm pasi të keni deklaruar të dhënat tuaja përmes këtij aplikacioni, ju do të mund t’i dorëzoni fizikisht plikot në cilëndo pikë të Postës së Kosovës, që gjithsej janë në dispozicion 158 pika.

Sipas Marrëveshjes së ATK-së dhe Postës së Kosovës, kjo e fundit do t’i dorëzoj plikot Tuaja në Administratën Tatimore të Kosovës.

ATK do të shqyrtoj të gjitha aplikacionet, si dhe do të rimbursoj mjetet, ashtu siç është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2015.

Njëherësh, ju njoftojmë se procedurat dhe hapat, për dorëzimin e plikove me Kuponë Fiskal dhe rimbursimin e mjeteve, mund t’i gjeni në Fletëpalosjen “Udhëzues për dorëzimin e plikove me Kuponë Fiskal”, linku Multimedia – Fletëpalosje dhe në Vendimin Shpjegues Publik Nr. 02/2015 në linkun  Publikime – Shpjegimet publike.

 

Administrata Tatimore e Kosovës