Njoftim nga Administrata Tatimore e Kosovës – Deklaroni dhe korrigjoni të ardhurat tuaja, në mënyre reale

Publikuar më May 10, 2012 11:32

Administrata Tatimore e Kosovës, ri-kujton të gjithë personat, të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të deklarojnë tatimet dhe kontributet pensionale në mënyrë reale.
Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqëndrohen pikërisht te kategoritë, si: Nën-deklarimi i pagave të punëtorëve, Nën-deklaruesit tek bizneset Mikro, Nën-deklaruesit tek bizneset e vogla, me qëllim të identifikimit të atyre bizneseve, të cilat nëndeklarojnë të ardhurat e tyre.


Disa nga veprimtaritë në vijim, nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK-ja, u bënë thirrje që të deklarojnë apo korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor:

– Identifikimi i bizneseve, të cilat nën-deklarojnë pagat e punëtorëve, si dhe ndërmarrja e masave me qëllim të paraqitjes së vlerës reale të kompensimit të punëtorëve dhe kontributit të tyre në të hyrat e ATK-së, dhe Trustit Pensional.

– Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve, të cilat bëjnë nën-deklarim të qarkullimit me qëllim të qëndrimit vazhdimisht në kuotën fikse prej 37.5€ në çdo 3 muaji.

– Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve, të cilat bëjnë nën-deklarim me qëllim të qëndrimit vazhdimisht nën 50,000 euro për 12 muaj.

ATK-ja, inkurajon të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t’i përgjigjen në menyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK-ja, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese konform legjislacionit tatimor.

Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.

Administrata Tatimore e Kosovës